Politikë
Buxheti 2027 zbardh detajet: Paga e 13-të, koeficienti 120 euro dhe rritja e shtesave për fëmijë
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar detajet kryesore të Projektbuxhetit për vitin 2027, i cili parasheh lëvizje të rëndësishme financiare për sektorin publik dhe familjet kosovare, duke përfshirë ngritjen e koeficientit të pagave dhe dyfishimin e shtesave për fëmijë në faza.
Gjatë mbledhjes së nëntë të Qeverisë së Kosovës, kreu i ekzekutivit sqaroi se koeficienti i pagave do të ngrihet nga 110 në 120 euro duke filluar nga data 1 korrik e vitit të ardhshëm. Krahas kësaj, nëpunësit publikë do të përfitojnë sërish pagën e 13-të, e cila është parashikuar të ekzekutohet gjatë gjysmës së parë të vitit 2027.
“Njësoj sikurse sivjet, buxheti i 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, ka deklaruar Kurti.
Sipas kreut të qeverisë, këto ndryshime do ta çojnë fondin buxhetor për paga në 1 miliard e 85 milionë euro. Kur kjo shifër pjesëtohet me rreth 85 mijë punonjës publikë, rezulton një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh, apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj. Ai shtoi se ky nuk do të jetë fundi i rritjeve, pasi tendenca pozitive e pagave do të vijojë edhe në vitet e ardhshme në harmoni me zhvillimin ekonomik.
Në kuadër të politikave sociale, Kurti bëri të ditur se nga 1 janari 2027 do të nisë implementimi i planit për rritjen graduale të shtesave për fëmijë. Kjo mbështetje do të rritet për 25 për qind çdo vit, me synim dyfishimin e plotë të tyre deri në përfundim të mandatit.
Ky proces do të shtrihet në katër faza vjetore, duke nisur nga muaji janar i viteve 2027, 2028, 2029 dhe 2030. Për ilustrim, kryeministri përmendi se një familje me dy fëmijë që aktualisht merr 60 euro në muaj, nga janari do të përfitojë 75 euro, ndërsa një familje me katër fëmijë që sot merr 180 euro, do të marrë 225 euro në muaj.
“Në linjë me premtimin tonë për dyfishim të shtesave për fëmijët përgjatë mandatit, kemi paraparë dhe buxhetuar rritjen graduale të shtesave në katër faza, me nga 25% çdo vit mbi shumën aktuale. Pra, nga 1 janari 2027, shtesat për fëmijë rriten 25%, pastaj edhe më 1 janar të vitit 2028 përsëri 25%, në janar 2029 përsëri 25% dhe në janar 2030 kompletohet rritja graduale, duke rezultuar në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda mandatit”, u shpreh ai.
Po ashtu, në të njëjtën mbledhje qeveritare, shefi i ekzekutivit u ndal edhe te ndarjet buxhetore për kategori të tjera, duke njoftuar se projektbuxheti i vitit 2027 siguron mbështetje të shtuar financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po ballafaqohen me procesin gjyqësor në Hagë, bazuar në kërkesat e adresuara nga vetë mbrojtja e tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: