Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Buxheti 2027: Parashikohet paga e 13-të, koeficienti 120 euro dhe rritja e shtesave për fëmijë

Redaksia Lajmetereja • 02-11-2026 16:03
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Buxheti 2027: Parashikohet paga e 13-të, koeficienti 120 euro dhe rritja e shtesave për fëmijë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit të ardhshëm. Po ashtu, nëpunësit publikë do të përfitojnë pagën e 13-të, e cila planifikohet të ekzekutohet në gjysmën e parë të vitit 2027. Këto paralajmërime Kurti i bëri gjatë mbledhjes së nëntë të Qeverisë së Kosovës, ku prezantoi disa nga pikat kryesore të Projektbuxhetit për vitin e ardhshëm. “Njësoj sikurse sivjet, buxheti i 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, ka deklaruar Kurti. Sipas tij, buxheti për paga, pas këtyre ndryshimeve, do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro. Kurti ka thënë se kjo shumë, kur pjesëtohet me rreth 85 mijë punonjës publikë, paraqet një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh, përkatësisht mbi 1 mijë euro bruto në muaj. Kreu i Qeverisë ka theksuar se rritja e pagave do të vazhdojë edhe në vitet pasuese, në përputhje me rritjen ekonomike. Një tjetër masë e paraparë në Projektbuxhetin 2027 është rritja graduale e shtesave për fëmijë, e cila pritet të nisë më 1 janar të vitit të ardhshëm. Sipas planit të prezantuar nga Kurti, shtesat do të rriten me nga 25 për qind çdo vit, në katër faza, deri në dyfishimin e tyre brenda mandatit. Rritjet janë planifikuar për janar të viteve 2027, 2028, 2029 dhe 2030. “Në linjë me premtimin tonë për dyfishim të shtesave për fëmijët përgjatë mandatit, kemi paraparë dhe buxhetuar rritjen graduale të shtesave në katër faza, me nga 25% çdo vit mbi shumën aktuale. Pra, nga 1 janari 2027, shtesat për fëmijë rriten 25%, pastaj edhe më 1 janar të vitit 2028 përsëri 25%, në janar 2029 përsëri 25% dhe në janar 2030 kompletohet rritja graduale, duke rezultuar në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda mandatit”, ka deklaruar Kurti. Ai ka dhënë edhe shembuj konkretë të përfitimeve nga rritja e parë. Sipas tij, një familje me dy fëmijë, që aktualisht merr 60 euro në muaj, nga janari do të përfitojë 75 euro. Ndërsa një familje me katër fëmijë, që aktualisht merr 180 euro, do të marrë 225 euro në muaj. Gjatë prezantimit të Projektbuxhetit, Kurti ka njoftuar edhe për rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë. Sipas tij, kjo rritje është paraparë në bazë të kërkesës së paraqitur nga ekipet e tyre mbrojtëse. “Sigurisht që për pjesën tjetër të angazhimit dhe mbështetjes, e presim edhe strategjinë nga grupi punues, i cili kryesohet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca”, ka deklaruar Kurti. Kurti ka bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 është paraparë të jetë 4.27 miliardë euro, që përbën një rritje prej 200 milionë eurosh krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2026 dhe 300 milionë eurosh më shumë se buxheti fillestar i këtij viti. Nga shuma e përgjithshme, 908 milionë euro janë planifikuar të ndahen për financimin direkt të komunave të Kosovës. Kryeministri e ka cilësuar këtë si buxhet rekord për komunat, duke theksuar se rritja është rezultat i shtimit të vazhdueshëm të granteve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar