Sport
Kriza në arsim, Hoxhaj: Rezultatet e PISA-s dëshmojnë mangësitë tona sistemore
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni për Arsim dhe Shkencë ka mbledhur ekspertë dhe vendimmarrës në një tryezë diskutimi të titulluar “Sfidat dhe prioritetet në Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës”, ku në fokus kanë qenë pengesat dhe ngecjet aktuale të sistemit arsimor kombëtar.
Kryetari i këtij komisioni, Enver Hoxhaj, gjatë fjalës së tij ka ngritur shqetësimin se deri më tani ka munguar një diskutim thelbësor mbi strategjinë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Ai ka evidentuar disa nga sfidat më urgjente, duke përfshirë metodat e vlerësimit të nxënësve, gjetjet e testit PISA, cilësinë e teksteve shkollore, si dhe harmonizimin e aftësive të fituara në shkolla me kërkesat e tregut të punës.
Duke vënë theksin te faktori njeri, Hoxhaj ka bërë të qartë se standardi i arsimit përcaktohet drejtpërdrejt nga autoriteti, përgatitja profesionale dhe pozita e mësimdhënësit brenda bankave të shkollës.
“E di që nuk ka pasur ndonjë debat të mirëfilltë se çfarë ka ndodhur me strategjinë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, se cila do të duhej të ishte, dhe ka një debat të gjerë për vlerësimin e nxënësve. Shumica e anëtarëve të këtij komisioni – që unë jam shumë i nderuar – janë pjesë e fushës së arsimit. Madje, dua të theksoj se i kemi edhe dy ish-ministra të tjerë të arsimit pjesë e kësaj fushe, drejtorë të drejtorive komunale në të kaluarën, dhe intelektualë të cilët e njohin nga brenda fushën e arsimit. Por, ne e dimë që ajo se çfarë ndodh në shkollat tona varet shumë nga sa është i zoti mësuesi në klasë, sa është i përgatitur mësimdhënësi në klasë, sa është i paguar mësuesi në klasë, dhe çfarë ndodh në procesin mësimor. Debati i gjerë është çështja e PISA-s dhe e rezultateve të PISA-s, e cila jo pse është vlerësim i jashtëm ndërkombëtar në momente të caktuara, por e cila e shpërfaq në mënyrë serioze dobësitë e fushës së arsimit. Sikurse që çështja e teksteve shkollore është një temë permanente këtu prej fillimit e deri te tema ndërlidhëse e arsimit në tregun e punës, dhe se sa shkolla përgatisin të rinjtë dhe të rejat për tregun e punës”, u shpreh Hoxhaj.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, gjatë pasqyrimit të prioriteteve të planit të ri strategjik, bëri të ditur se fokusi kryesor do të mbështetet në katër shtylla thelbësore, ku prioritet absolut do të ketë edukimi në fëmijërinë e hershme.
Sipas tij, kjo fazë është e pazëvendësueshme jo vetëm për mbarëvajtjen e zhvillimit socio-emocional të vogëlushëve, por edhe si bazë e fortë për rritjen e performancës akademike në nivelet e mëvonshme shkollore.
“Meqë po flasim për arsimin parauniversitar, më lejoni që shkurtimisht të eci në ato që ne po konsiderojmë që do të jenë katër shtyllat e strategjisë së re. Po nisim me edukimin në fëmijëri të hershme. Ky edukim vlerësohet si jashtëzakonisht i suksesshëm jo vetëm për zhvillimin e aftësive socio-emocionale të fëmijëve, por edhe për ngritjen e cilësisë në shkolla. Studimet tregojnë se nxënësit të cilët kanë ndjekur çerdhet në fëmijëri të hershme, performojnë vazhdimisht më mirë se fëmijët të cilët nuk e kanë pasur këtë mundësi. Andaj, në këtë drejtim dy janë rrugët apo drejtimet të cilat do t’i kryejë ministria, një është zgjerimi i rrjetit të çerdheve publike, gjithsesi, por edhe organizimeve të tjera”, shtoi Kryeziu.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: