Aktuale
Situata me fruthin në vend: Konfirmohen 18 raste të reja brenda një jave, shifra totale arrin në 242
Reklamë e Sponsorizuar
Vendi po përballet me një trend rritës të infektimeve me fruth që nga muaji prill, periudhë gjatë së cilës janë regjistruar gjithsej 242 raste pozitive, ku 18 prej tyre janë shënuar vetëm gjatë shtatë ditëve të fundit. Aktualisht, rreth 20 pacientë po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor në Klinikën Infektive, ku gjendja e lorë shëndetësore përshkruhet kryesisht si stabile, ndërkohë që priten edhe rezultatet për pacientë të tjerë të dyshuar.
Prej muajit prill, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar një fluks të shtuar të mostrave të dërguara për analiza laboratorike, një dinamikë kjo që po vazhdon e pandryshuar edhe pas gjashtë muajsh.
Lidhur me valën e re të infektimeve të regjistruara gjatë javës së kaluar, ka flokur specialisti i shëndetit publik, Faik Hoti.
"Në përditësimin e fundit të Institutit Kombëtar kemi regjistruar 242 raste të fruthit të cilat i takojnë periudhës nga 16 prilli deri me 26 tetor, pra nëse i shohim raportet e fundit dhe përditësimet javore mund të themi që çdo javë po regjistrohen raste të reja të fruthit kryesisht tek fëmijët e pavaksinuar", u shpreh Hoti.
I pyetur mbi mundësinë e përshkallëzimit të situatës epidemiologjike, specialisti i shëndetit publik theksoi rëndësinë e masave parandaluese.
"Në kuptimin e shifrave të përgjithshme situata është e kontrollueshme, gjithmonë ka angazhime shtesë për vaksinim të rregullt, por ne e marrim shumë seriozisht sepse fruthi është sëmundje me komplikime serioze", shtoi Hoti.
Si pasojë e këtyre rasteve, dyert e Klinikës Infektive mbeten të hapura për të hospitalizuar pacientët që shfaqin forma më të rënda të sëmundjes.
"Momentalisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar rreth 19 pacientë të konfirmuar me fruth, disa janë në pritje të rezultateve, pra janë si të dyshimtë për morbillë, pra pastaj na vijnë konfirmimet për rezultatet e tyre, por që ky numër lëviz kohë pas kohe në bazë të vizitave ambulantore apo për pacientët që kërkojnë trajtim", deklaroi infektologu Lirim Tafilaj.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, shpërndarja gjeografike e rasteve gjatë gjysmëvjetorit të fundit udhëhiqet nga Prishtina me 83 raste, e ndjekur nga Fushë-Kosova me 58 dhe Ferizaji me 25 raste të konfirmuara, ndërsa grupmosha më e rrezikuar dhe më e goditur mbetet ajo prej 12 deri në 24 muaj, me 93 raste të regjistruara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: