Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

75 vjet jetë dhe art: Portreti i shumëanshëm i krijuesit dhe intelektualit të shquar shqiptar, prof. Prend Buzhala

Redaksia Lajmetereja • 01-11-2026 19:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
75 vjet jetë dhe art: Portreti i shumëanshëm i krijuesit dhe intelektualit të shquar shqiptar, prof. Prend Buzhala
Intelektualin dhe shkrimtarin e njohur shqiptar, prof. Prend Buzhala, e njoh prej dekadash si një njeri të letrave, krijues dhe personalitet të palodhur në shërbim të kulturës sonë. Megjithatë, kjo njohje e gjatë merr një dimension edhe më të thellë përmes mozaikut të gjerë të krijimtarisë së tij, e cila shtrihet në poezi, prozë, analiza, eseistikë, studime, publicistikë, gazetari, kritikë letrare dhe shkencë. Për vite me radhë, ky opus letrar ka formësuar një hapësirë të pasur mendimi dhe komunikimi me lexuesin. Pikërisht ky dualizëm mes njohjes njerëzore dhe asaj krijuese më shtyn që, në kuadër të 75-vjetorit të lindjes së tij, t'i qasem me respektin dhe përgjegjësinë më të lartë intelektuale figurës së njërit prej autorëve më të përkushtuar të letërsisë sonë bashkëkohore. Nuk është aspak hera e parë që ndalem me shkrim te vepra e prof. Prend Buzhalës. Gjatë viteve të kaluara kam pasur fatin të analizoj mjaft tituj të tij, duke sjellë vështrime kritike dhe reflektime që synojnë të kapin thelbin, strukturën dhe mesazhin e tyre. Secili libër i tij ka shërbyer si një dritare për të kuptuar jo thjesht temat e trajtuara, por mënyrën se si autori mendon, ndërton figurën artistike, interpreton të kaluarën dhe lidhet me botën shpirtërore të njeriut. Kështu, lidhja ime me krijimtarinë e tij nuk ka qenë kurrë një vlerësim i rastësishëm ceremonial, por një dialog i vazhdueshëm letrar, i ushqyer nga leximi i vëmendshëm dhe respekti i thellë për fjalën e shkruar. Sot, me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Prend Buzhalës, kam zgjedhur t'i bashkoj këto vështrime të deritanishme në një perspektivë të vetme, për të nxjerrë në pah tiparet dalluese të individualitetit të jo krijues. Pesha e një shkrimtari nuk matet thjesht me sasinë e veprave të botuara apo me kurorat e mirënjohjeve, por me atë që ai ngre përmes artit të tij, ndikimin në ndërgjegjen e publikut dhe gjurmët që lënë në memorien kulturore të shoqërisë. I lindur më 1 nëntor 1951 në Çabiq të Klinës, prof. Prend Buzhala i takon atij brezi autorësh që u formuan në kohëra kur liria e mendimit dhe e shprehjes përballej shpesh me sfida të mëdha historike e politike. Kjo sprovë jetësore, e gërshetuar me misionin e tij në arsim dhe letërsi, përbën shtratin ku është rritur talenti i tij. Megjithatë, vepra e Buzhalës nuk mund të shpjegohet vetëm përmes biografisë; me durim e përkushtim, ai ka ditur ta kthejë përvojën njerëzore në art letrar dhe kujtesën kolektive në një burim të pashtershëm reflektimi. Në analizat e mia ndër vite kam vënë re se themelet e kësaj krijimtarie preken nga tri shtylla të forta: mbrojtja e dinjitetit njerëzor, ndjeshmëria e thellë ndaj fatit historik të popullit shqiptar dhe pasioni i pandalur për vlerat e mirëfillta kulturore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar