Aktuale
Ndikimi i Halloween-it dhe thirrja e Kishës: Të mos e zëvendësojmë dritën e shenjtërve me simbolet e errësirës
Reklamë e Sponsorizuar
Përhapja gjithnjë e më e madhe e Halloween-it, i njohur gjerësisht si «Nata e Shtrigave», përbën një dukuri kulturore që kërkon vëmendje dhe shqyrtim serioz, veçanërisht në kuadër të edukimit të fëmijëve dhe ruajtjes së identitetit të krishterë. Në një kohë kur globalizimi, rrjetet sociale dhe industria e argëtimit ushtrojnë ndikim të fuqishëm, shtrohet pyetja se sa të vetëdijshëm jemi për prejardhjen, përmbajtjen dhe simbolikën e zakoneve që po përqafojmë.
Në cilësinë e meshtarit të Kishës Katolike në Dioqezën Prizren–Prishtinë, e them me përgjegjësi të plotë se ky fenomen nuk duhet parë thjesht përmes prizmit të një debati mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të kësaj feste.
Përkundrazi, kjo dukuri kërkon një qasje më të gjerë, e cila përfshin përgjegjësinë prindërore, edukimin fetar, formimin e ndërgjegjes morale dhe vlerësimin e trashëgimisë shpirtërore të Kishës Katolike.
Në këtë kontekst, shqetësimi kryesor nuk qëndron te një maskë apo një argëtim i çastit, por te rreziku që fëmijët, në mungesë të një shpjegimi dhe orientimi të duhur, të përvetësojnë simbole pa e kuptuar domethënien e tyre të vërtetë. Sidomos kur në qendër të festimeve vendosen figura djajsh, shtrigash, fantazmash dhe shfaqje të frikshme të vdekjes, prindërit kanë arsye legjitime të pyesin se çfarë mesazhi edukativ, kulturor dhe moral u përcillet fëmijëve të tyre.
Në aspektin historik, Nata e Shtrigave është ndikuar nga tradita të ndryshme popullore, përfshirë zakonet e lashta kelte të lidhura me Samhain-in. Megjithatë, vetë termi Halloween rrjedh nga shprehja angleze All Hallows' Eve, që përkon me vigjiljen e të Gjithë Shenjtërve. Kjo lidhje me kalendarin e krishterë është e pamohueshme, por është po aq e rëndësishme të theksohet se Halloween-i bashkëkohor, veçanërisht në dimensionin e tij komercial, nuk përfaqëson një kremtim liturgjik të Kishës Katolike dhe nuk mund të njësohet me kuptimin shpirtëror të kësaj dite.
Pikërisht ky dallim është thelbësor. Mbrëmja e 31 tetorit i paraprin solemnitetit të 1 nëntorit, kur Kisha Katolike universale kremton të Gjithë Shenjtërit, ndërsa më 2 nëntor përkujton të gjithë besimtarët e ndjerë. Këto dy data mbartin një domethënie të thellë teologjike dhe shpirtërore, duke e vënë njeriun ballë për ballë me misterin e shenjtërisë, vdekjes, jetës së amshuar dhe shpresës në ngjalljen e Krishtit.
Në traditën katolike, solemniteti i të Gjithë Shenjtërve është festimi i fitores së hirit të Hyjit në jetën e atyre që iu përgjigjën thirrjes hyjnore për shenjtëri. Kjo ditë nuk ka asgjë të përbashkët doktrinare me madhërimin e magjisë, praktikave okulte apo figurave djallëzore. Përkundrazi, ajo dëshmon bindjen e Kishës se çdo njeri thirret të jetojë në bashkim me Hyjin, duke u bërë dëshmitar i dashurisë, së vërtetës dhe shenjtërisë.
Nga ana tjetër, përkujtimi i të vdekurve më 2 nëntor mbetet një nga shprehjet më domethënëse të besimit katolik në jetën e amshuar. Kjo nuk është një ditë frike apo një kremtim i botës së shpirtrave në kuptimin spiritist, por një kohë lutjeje, kujtese, dashurie dhe shprese, gjatë së cilës Kisha ia beson mëshirës së Hyjit të gjithë besimtarët që kanë kaluar në amshim.
Edhe vetë Katekizmi i Kishës Katolike, në numrin 1032, na kujton se Kisha, që nga fillimet e saj, e ka nderuar kujtimin e të ndjerëve dhe ka oferejtur lutje për ta, duke dëshmuar vazhdimësinë e këtij tradite shpirtërore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: