Aktuale
Tragjedi në Gjilan: Babai dyshohet se vrau djalin pasi ky i fundit i mori jetën foshnjës 3 muajshe
Reklamë e Sponsorizuar
Detaje tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku brenda një banese u gjetën pa shenja jetë një 27-vjeçar dhe foshnja e tij tre muajshe.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se i riu ka privuar nga jeta foshnjën e tij, ndërsa menjëherë pas këtij akti, babai i tij ka ndërhyrë duke e mbytur të birin me litar në përpjekje e sipër për të mbrojtur foshnjën.
Autoritetet ende nuk i kanë bërë të njohura rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tronditëse, ndërsa pritet konfirmimi zyrtar nga ana e institucioneve kompetente.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ngjarja është sinjalizuar më 1 nëntor 2026, rreth orës 08:47, kur është marrë njoftimi për dy trupa të pajetë në një shtëpi të këtij fshati, ku bëhet fjalë për një mashkull të lindur më 1999 dhe një foshnjë.
Në bazë të hetimeve të deritanishme në terren, dyshohet se bëhet fjalë për një krim brenda familjes. Si person i dyshuar është prangosur babai 65-vjeçar i viktimës, i cili me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Të gjitha njësitë relevante policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi mjekësor i emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e të dy viktimave, ndërsa me vendim të prokurorit, trupat janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për t'i u nënshtruar obduksionit.
Ky rast është regjistruar zyrtarisht si “Vrasje e rëndë”, teksa organet e rendit dhe drejtësisë po vazhdojnë hetimet intensive për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj tragjedie.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: