Politikë
Audiencë e veçantë në Vatikan: Ipeshkvijtë shqiptarë takojnë Papën Leoni XIV dhe i dorëzojnë ftesën zyrtare për vizitë në vend
Reklamë e Sponsorizuar
Krerët e Kishës Katolike të Shqipërisë janë pritur më 30 tetor 2026 në një audiencë private në Vatikan nga Papa Leoni XIV, në kuadër të vizitës së tyre tradicionale “Ad Limina Apostolorum” në Romë.
Takimi, i cili zgjati mbi një orë, shërbeu që delegacioni i ipeshkvijve dhe administratorëve dioqezanë të njohë Atin e Shenjtë me realitetin, sfidat dhe sfondin aktual të Kishës dhe shoqërisë shqiptare.
Në fjalën e mbajtur në emër të gjithë hierarkisë katolike vendase, Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, vuri inurs në rëndësinë e këtij bashkimi të fortë me Selinë e Romës.
“Videre Petrum dhe vizita pranë varreve të Apostujve janë për ne një rast për të kremtuar fenë tonë, për t’u rrokur fort rreth Jush, Atë i Shenjtë, dhe për t’u përforcuar në fe”, u shpreh Imzot Meta gjatë fjalës së tij.
Ai përcolli gjithashtu përshëndetjet e meshtarëve, rregulltareve dhe besimtarëve nga të gjitha dioqezat, duke vënë në dukje qëndrueshmërinë dhe besnikërinë e katolikëve shqiptarë ndaj Selisë Apostolike përgjatë historisë, pavarësisht periudhave të vështira, përndjekjeve, varfërisë dhe izolimit, ndërsa nuk la pa përmendur edhe udhëheqësit e besimeve të tjera dhe shqiptarët jo-katolikë.
Gjatë këtij takimi vëllazëror, delegacioni i dorëzoi Papës tri dhurata me peshë të veçantë simbolike.
E para ishte ikona e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e Popullit Shqiptar, e punuar me mjeshtëri nga duart e një artisti shqiptar.
E dyta konsistonte në një libër kushtuar martirëve shqiptarë, që dëshmon historinë e sakrificës dhe qëndresës heroike të Kishës Katolike në trojet shqiptare.
Dhurata e tretë ishte një pëlhurë zadrimore, si shenjë e trashëgimisë së pasur kulturore të kësaj zone dhe dëshmi e përkushtimit, dashurisë e punës së nënave shqiptare.
Imzot Gjergj Meta shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Atit të Shenjtë për mesazhin e tij të paqes, për dënimin e konflikteve dhe për enciklikën “Magnifica humanitas”, e cila i jep rëndësi qendrore dinjitetit njerëzor në epokën e inteligjencës artificiale.
Gjithashtu, ai falënderoi Papën për transparencën e treguar lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, duke siguruar se komuniteti katolik në Shqipëri ka përfshirë dhe do të vazhdojë ta përfshijë atë në lutjet e përditshme.
Në mbyllje të këtij takimi kuptimplotë, Imzot Meta përtëriu ftesën zyrtare drejtuar Papës për të vizituar Shqipërinë, duke ia besuar këtë shërbesë mbrojtjes hyjnore:
“Fort i Lumturi Atë, në përfundim të këtij takimi, përtërijmë ftesën tonë për ta vizituar Shqipërinë. Nëna e Këshillit të Mirë Ju pret me përqafimin e saj dhe është asaj që ia besojmë shërbesën Tuaj dhe tonën si barinj. Faleminderit! Na bekoni ne dhe Kishat tona! Ne Ju sigurojmë lutjet tona.”
Në këtë mënyrë, vizita e ipeshkvijve shqiptarë në Vatikan u kurorëzua jo vetëm me shkëmbimin e dhuratave tradicionale, por edhe me shpresën e gjallë se Papa Leoni XIV do të pranojë ftesën për të vizituar shenjtëroren e Pajtores së Shqipërisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: