Aktuale
Tensione dhe përplasje në Maliq: Banorët dalin në protestë kundër projektit për ujin e pijshëm
Reklamë e Sponsorizuar
Gjendja është tensionuar këtë të hënë në fshatin Burimas të Maliqit, ku banorët janë ngritur sërish në protestë për të mbrojtur burimin e tyre të ujit. Tubimi ka degjeneruar në përplasje fizike me forcat e rendit dhe përfaqësuesit e ndërmarrjes së ujësjellësit, ndërsa komuniteti po kundërshton me vendosmëri devijimin e ujit drejt një zone tjetër.
Në qendër të këtij konflikti social është një projekt i nisur për të siguruar furnizimin me ujë të pijshëm për fshatin fqinj, Zvezdë. Megjithatë, banorët e Burimasit refuzojnë çdo ndërhyrje në burimin e tyre ujor, duke argumentuar se një veprim i tillë do të rrezikojë seriozisht dhe do të pakësojë sasitë e ujit për nevojat e tyre jetësore.
Përfaqësuesit e zonës kërkojnë që autoritetet të gjejnë një zgjidhje alternative për fshatin Zvezdë, duke realizuar investimin e nevojshëm pa cenuar në asnjë mënyrë burimin ekzistues që furnizon Burimasin.
“Sot protestohet për ujin. Problemi, është hera e tretë e problemit për ujin. Për të marrë ujin e Golloberdës ta sjellin në Zvezdë. Për të na mashtruar, për të na gënyer. Kaq. Ne nuk do ta pranojmë këtë gjë. Jo, nuk do ta lejojnë. Këta janë banorët e Golloberdës. Plus që do ngrihet edhe Zvezda, nuk do ta pranojmë këtë gjë. Të vijë të bëjë pusin në Zvezdë”, është shprehur një qytetar gjatë protestës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: