Politikë
Vala e protestave në Tiranë: Studentët dhe pedagogët nuk tërhiqen, këtë të shtunë tubim para Arsimit dhe Kryeministrisë
Reklamë e Sponsorizuar
Lëvizja e studentëve do të ketë vazhdimësi edhe gjatë kësaj fundjave, ndërsa ata kanë bërë të ditur se tubimi i radhës do të mbahet këtë të shtunë, duke filluar nga ora 12:00, para godinës së Ministrisë së Arsimit.
Krahas të rinjve, në këtë protestë pritet të përfshihen edhe pedagogët, të cilët prej disa ditësh kanë ndërprerë mësimin për t'u solidarizuar me kauzën e tyre, e cila përfshin gjithashtu kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, për të njëjtën ditë, Partia Demokratike ka thirrur një protestë mbarëkombëtare. Gjatë ditës së djeshme, kreu i kësaj force politike, Sali Berisha, u bëri thirrje strukturave, simpatizantëve dhe qytetarëve nga i gjithë vendi që të bashkohen në tubimin e orës 12:00, për t'i dhënë mbështetje kërkesave studentore.
Duke e vënë theksin te rezistenca e tyre, Berisha e konsideroi qëndrimin e studentëve në rrugët e kryeqytetit si një shenjë të lartë të kurajos qytetare dhe përgjegjësisë publike.
Axhenda e të rinjve parasheh që pas tubimit të parë, protesta të zhvendoset në orën 14:00 përpara Kryeministrisë. Deri më tani mbetet e paqartë kohëzgjatja e protestës dhe mundësia e tensionimeve me forcat e rendit, duke patur parasysh se në tubimet e kaluara janë shënuar disa incidente dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: