Sport
Nga kategoria e katërt te sensacioni i Bundesligës: E madhja Elversberg shkatërron Mainzin dhe ëndërron Evropën
Reklamë e Sponsorizuar
Elversbergu po vazhdon të shkruajë një prej kapitujve më magjikë dhe të papritur në historinë e futbollit evropian, duke u shndërruar në befasinë më të madhe të edicionit aktual në Bundesligën gjermane.
Klubi, i cili vetëm katër sezone më parë djersitej në nivelet inferiore të futbollit gjerman, ka triumfuar bindshëm 4:1 ndaj Mainz-it në kuadër të javës së tetë, rezultat ky që e ka ngjitur përkohësisht në pozitën e pestë të tabelës.
Duke debutuar këtë vit për herë të parë në elitën e futbollit gjerman, Elversbergu ka arritur të mbledhë 13 pikë, duke u pozicionuar krah gjigantëve si Freiburgu (vendi i tretë) dhe Bayer Leverkuseni (vendi i katërt) para kësaj xhiroje. Skuadra e drejtuar nga 40-vjeçari Vincent Wagner e siguroi fitoren qysh në 45-minutëshin e parë.
Avantajin e hapi Felix Keidel në minutën e shtatë, ndërsa Francis Onyeka dyfishoi shifrat në minutën e 26-të. Pak para se të mbyllej pjesa e parë, në minutën e parë shtesë, Maurice Krattenmacher realizoi për 3:0. Në fraksionin e dytë, saktësisht në minutën e 90-të, Cole Campbell çoi rezultatin në 4:0, kurse Benedict Hollerbach shënoi golin e nderit për miqtë në minutën e 90+2, duke vulosur shifrat përfundimtare 4:1.
Kjo fitore merr një dimension edhe më të madh po të kemi parasysh se Mainz-i kishte udhëtuar drejt kësaj sfide si skuadra më e suksesshme e ndeshjeve në udhëtim këtë edicion. Në tri ndeshjet e para jashtë fushës kishin arkëtuar pikët e plota, por nuk arritën të gjenin asnjë zgjidhje përballë vrullit të skuadrës vendase.
Historia e Elversbergut mbetet një nga përrallat më mbresëlënëse të sportit modern në Gjermani. Klubi e ka origjinën nga Spiesen-Elversbergu, një qytezë në landin e Saarlandit me rreth 13 mijë banorë, ndërsa ndeshjet e tyre i organizojnë në stadiumin "Ursapharm-Arena an der Kaiserlinde", me një kapacitet prej rreth 10 mijë ulësesh.
Në edicionin 2021/22, ky klub garonte në Ligën Rajonale Jugperëndim, e cila përfaqëson kategorinë e katërt gjermane. Aty nisi edhe hovja e jashtëzakonshme drejt majave.
Në vitin 2022 u promovuan në ligën e tretë, kurse dymbëdhjetë muaj më vonë fituan trofeun e kampionit duke siguruar një ngjitje historike në Bundesliga 2.
Sezonin e parë në këtë kategori e mbyllën në vendin e 11-të, ndërsa edicionin e ardhshëm ishin tejet pranë ëndrrës së madhe për në Bundesligë. Megjithatë, në ndeshjet e barazhit kundër Heidenheimit, pësuan një gol dramatik në çastet e fundit të ndeshjes së kthimit, duke e humbur për pak këtë arritje madhështore.
Ajo që iu mohua në vitin 2025, u realizua vetëm një vit më vonë. Pavarësisht largimit të trajnerit Horst Steffen dhe disa lojtarëve kyç, nën urdhërat e teknikut Vincent Wagner, Elversbergu përfundoi në vendin e dytë të Bundesliga 2.
Biletën për në elitën e futbollit gjerman e vulosën në javën e fundit të kampionatit, falë triumfit 3:0 ndaj Preußen Münster.
Edhe në Bundesligë, skuadra ka shfaqur një lojë jashtëzakonisht guximtare. Madje, i pati afruar probleme të mëdha edhe kampionit në fuqi, Bayern Munich, nga i cili u mbyllën me humbje minimale 2:1 në shtëpi.
Një goditje e rëndë kishte ardhur javë më parë nga RB Leipzig, që i mposhti 4:0, e ndjekur edhe nga eliminimi në Kupën e Gjermanisë prej Darmstadtit, skuadër e kategorisë së dytë. Sidoqoftë, reagimi ndaj Mainz-it vërtetoi se dy disfatat radhazi nuk e kishin lëkundur aspak karakterin e skuadrës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: