Kronikë
Hetimet në Serbi: Vihet në lupë vendimi për mosburgosjen e Milan Radoiçiqit
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni i Prokurorisë së Lartë Publike në Serbi, me urdhër të kryeprokurores Zagorka Dolovac, ka nisur shqyrtimin e rastit që lidhet me biznesmenin e afërt me pushtetin, Milan Radoiçiq, i cili është edhe organizatori i sulmit terrorist në Banjskë.
Në qendër të vëmendjes së këtij hetimi janë rrethanat e diskutueshme se pse Radoiçiqit nuk iu caktua masa e paraburgimit pas dëshmisë së tij në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, pavarësisht peshës së rëndë të veprave penale që i faturohen.
Sipas hetimeve paraprake, prokurori i atëhershëm i çështjes, Nikola Panteliq, kishte përfshirë vetëm një bazë ligjore në kërkesën e tij për paraburgim – rrezikun e arratisjes – edhe pse vetë Radoiçiqi ishte paraqitur vullnetarisht në organet e drejtësisë.
Komisioni po analizon gjithashtu arsyet se përse prokurori Panteliq kishte anashkaluar tri baza të tjera ligjore për paraburgim: rrezikun e përsëritjes së veprës penale, ndikimin e mundshëm te dëshmitarët dhe shqetësimin e opinionit publik.
Pavarësisht këtyre lëshimeve në trajtimin e lëndës, prokurori Nikola Panteliq ndërkohë është graduar, duke marrë detyrën e shefit në Prokurorinë e Lartë Publike në Pançevë.
Ky proces hetimor bën pjesë në një aksion më të gjerë të komisionit kompetent, i cili po vë në sitë mënyrën se a janë trajtuar në përputhje me ligjin disa nga rastet më të ndjeshme nga prokuroritë anembanë vendit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: