Aktuale
Dy gjigantët e Milanos prezantojnë projektin madhështor: Ky do të jetë stadiumi i ri i Interit dhe Milanit
Reklamë e Sponsorizuar
Interi dhe Milani kanë bërë publike pamjet e projektit për shtëpinë e tyre të re, e cila do të ngrihet në zonën e San Siros në qytetin e Milanos. Gjatë prezantimit, arkitekti David Manica ka dhënë garanci se arena moderne do të ruajë plotësisht shpirtin dhe atmosferën e stadiumit historik, duke u shprehur se do të jetë “edhe më shumë San Siro se sa është sot”.
Prezantimi i këtij plani ambicioz, i pagëzuar me emrin “Generali Stadium”, u organizua në një ngjarje të përbashkët nga dy skuadrat e njohura italiane, në prag të sfidës derbi. Për hartimin e këtij projekti janë bashkuar emrat e njohur të arkitekturës, Norman Foster dhe David Manica, të cilët më parë kanë lënë gjurmë edhe në rinovimin e stadiumit legjendar Ëembley në Londër.
Sipas Manicës, fokusi kryesor i punës nuk ka qenë thjesht ngritja e një objekti të ri, por transmetimi i emocioneve që San Siro u ka falur ndër vite dashamirësve të futbollit. “Gjëja më e rëndësishme që kuptuam gjatë projektimit të këtij projekti është se San Siro është një ndjenjë. Është më shumë se një ndërtesë, është një ndjenjë. Ne i afruam të gjitha ulëset sa më shumë që ishte e mundur pranë fushës. Ato nuk mund të jenë më afër, në fakt do të duket sikur je ulur në barin e fushës”, u shpreh ai.
Ai shtoi se synimi nuk është fshirja e historisë së stadiumit ikonik, por krijimi i një hapësire që e lartëson dhe e përcjell identitetin e tij me intensitet edhe më të madh.
Impianti i ardhshëm sportiv do të ofrojë një kapacitet prej afërsisht 71 mijë e 500 vendesh. Një nga pikat më të veçanta të projektit janë tribunat e vendosura pas portave, ku sektorët e njohur “Curva”, që tradicionalisht strehojnë mbështetësit më të flaktë, do të kenë secili nga 11 mijë e 700 ulëse.
Plani parashikon gjithashtu përfshirjen e 8 mijë e 88 ulëseve për shërbime mikpritëse, 3 mijë e 698 hapësira premium, si dhe 394 vende të përshtatura enkas për personat që lëvizin me karroca me rrota.
Lartësia e strukturës së re do të shkojë deri në 70 metra mbi nivelin e fushës së lojës. Ndërkohë, çatia e stadiumit do të pajiset me 27 mijë e 500 metra katrorë panele diellore, duke i siguruar këtij kompleksi një profil të lartë të efiçencës dhe qëndrueshmërisë energjetike.
Kujtojmë se dy klubet e kryeqytetit të modës kishin siguruar pronësinë e tokës ku ndodhet aktualisht stadiumi “Giuseppe Meazza” në muajin nëntor të vitit 2025, përmes një marrëveshjeje financiare që kapte shifrën e rreth 197 milionë eurove. Stadiumi i ri është planifikuar të ndërtohet në hapësirën që aktualisht funksionon kryesisht si parking për impiantin ekzistues.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: