Politikë
Valë pakënaqësie në Gjermani: Mbi 150 mijë të rinj të Gjeneratës Z organizohen për protesta masive kundër qeverisë
Reklamë e Sponsorizuar
Gjermania po bëhet gati për një valë të fuqishme protestash nga brezi i ri, të cilët kundërshtojnë hapur vendimet e ekzekutivit të drejtuar nga kancelari Friedrich Merz. Për datën 31 tetor, dhjetëra mijëra nxënës, studentë dhe punonjës të rinj paralajmërojnë se do të vërshojnë në sheshet e qyteteve kryesore gjermane, për të shprehur pakënaqësinë ndaj masave shtrënguese sociale, shtrenjtimit të jetesës dhe diskutimeve për rikthimin e detyrimit ushtarak.
Kjo nismë e gjerë udhëhiqet nga lëvizja e sapokrijuar “Gen Z Regelt” (Gjenerata Z merr situatën në dorë), e cila ka bërë publike një letër të hapur drejtuar kreut të qeverisë. Në këtë dokument, autoritetet akuzohen se po shpërfillin pritshmëritë e të rinjve dhe se po rrezikojnë të ardhmen e tyre përmes vendimeve të gabuara.
“Nuk mund të rrimë më duarkryq duke parë se si ju e vini në lojë të ardhmen tonë. Politikat tuaja të shtrëngimit ekonomik po na e heqin çdo shpresë”, shkruhet ndër të tjera në letrën e shpërndarje në rrjet.
Përfaqësuesit e lëvizjes ngrenë alarmin për orientimin ekonomik të qeverisë, duke kritikuar ashpër frenimin e fondeve sociale, veprimet e pamjaftueshme përballë krizës klimatike, si dhe qasjen e autoriteteve ndaj tensioneve dhe konflikteve gjeopolitike.
Një tjetër temë që ka ndezur debate të forta është ideja e rikthimit të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, një opsion që refuzohet kategorikisht nga brezi i ri.
“E gjithë kjo ndodh ndërsa ju refuzoni të na dëgjoni, nuk i merrni seriozisht frikërat tona dhe nuk i merrni parasysh kundërshtimet tona. Na erdhi në majë të hundës!”, shtohet në letrën drejtuar ekzekutivit.
Organizatorët theksojnë se tubimet e fundit të tetorit do të shërbejnë si dëshmi e qartë e forcës dhe vendosmërisë rinore për të sjellë ndryshim rrënjësor në kursin qeveritar.
“Politikat tuaja po e çojnë të ardhmen tonë drejt një rruge pa krye! Prandaj, më 31 tetor, ne do të dalim në rrugë në më shumë se 20 qytete, në mënyrë paqësore, me zë të lartë dhe me vendosmëri”, deklarojnë drejtuesit e nismës.
Sipas të dhënave nga terreni, qendrat kryesore të protestave do të jenë në Berlin, Hamburg, Mynih, Frankfurt dhe Këln, ndërkohë që tubime parashikohen edhe në 27 qytete të tjera të vendit. Vetë organizatorët njoftojnë se mbi 150 mijë qytetarë janë regjistruar paraprakisht në platformat online, ndonëse kjo shifër pasqyron interesimin dhe jo domosdoshmërisht numrin përfundimtar të pranishmëm në sheshe.
Në thelb të kërkesave të tyre qëndrojnë investimet më të larta në sistemin arsimor, sigurimi i një standardi të përballueshëm jetese dhe një ndarje më e drejtë e barrës financiare. Të rinjtë kërkojnë që llogaritë e buxhetit të shtetit të mos balancohen në kurriz të së ardhmes së tyre.
Po ashtu, ata bëjnë thirrje për një mbrojtje më të madhe të lirive qytetare, kundërshtojnë prirjet për shtim të mbikëqyrjes publike dhe kërkojnë hapa konkretë e urgjentë kundër ngrohjes globale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: