Sport
Vizioni i Bill Gates: Këto janë katër fushat ku njeriu do t'i rezistojë inteligjencës artificiale
Reklamë e Sponsorizuar
Pavarësisht hovit të jashtëzakonshëm të inteligjencës artificiale (IA) dhe ndikimit të saj të pritshëm në tregun e punës, bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, beson se ka ende sektorë ku faktori njerëzor mbetet i pazëvendësueshëm.
Gates ka veçuar programimin, biologjinë, energjinë dhe sportet profesionale si katër fushat kyçe ku prania e njeriut do të vazhdojë të ruajë rëndësinë e saj jetike, pavarësisht evolucionit teknologjik.
Edhe pse makinat pritet të marrin përsipër gjithnjë e më shumë detyra që sot u takojnë njerëzve, miliarderi vlerëson se jo çdo fushë mund t'i kalojë plotësisht automatizimit. Gjatë një paraqitjeje në emisionin e njohur amerikan “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, ai solli në vëmendje sportet profesionale.
“Merrni bejsbollin, për shembull. Ne nuk do të duam të shohim kompjuterë duke luajtur bejsboll”, u shpreh ai, duke nënvizuar se emocionet dhe performanca njerëzore mbeten të pakonkurrueshme në këtë fushë.
Në sektorin e programimit, ndonëse IA mund të lehtësojë procesin e kodimit dhe ndërtimit të sistemeve, ekspertiza e njeriut mbetet thelbësore për mbikëqyrjen dhe adresimin e sfida komplekse. Ngjashëm, shkencat e biologjisë dhe industria e energjisë kërkojnë hulumtime, inovacion dhe vendimmarrje që mbështeten fuqimisht te truri i njeriut.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se këto profesione janë krejtësisht të imunizuara ndaj ndryshimeve. Gates ka tërhequr vëmendjen se hov i inteligjencës artificiale mund të ulë ndjeshëm kërkesën për fuqi punëtore në sektorë të tjerë, siç janë prodhimi industrial, transporti dhe bujqësia.
Sipas tij, shoqëria njerëzore do të duhet të përcaktojë qartë se cilat aktivitete dëshiron t'ia besojë patjetër njerëzve, pavarësisht faktit se teknologjia do të ishte në gjendje t'i realizonte ato.
Diskutimet rreth të ardhmes së punësimit janë nxitur edhe më shumë pas lajmeve se Microsoft po shqyrton mundësinë e një programi të largimit vullnetar, i cili mund të përfshijë rreth 60 mijë punonjës.
Ky plan parasheh kompensim financiar dhe mbështetje për avancimin e karrierës së stafit të kualifikuar në tregje të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Indinë. Megjithatë, ky hap nuk tregon domosdo se vendet e punës po fshihen drejtpërdrejt nga inteligjenca artificiale.
Në fund, Gates ka theksuar se autoritetet duhet të hartojnë politika adekuate për të ndihmuar shoqëritë që të adaptohen me tronditjet ekonomike dhe sociale që mund të shkaktojë automatizimi. Sfida kryesore, sipas tij, nuk qëndron vetëm te zhvillimi i softuerëve, por te ruajtja e kuptimit dhe e vendit të njeriut në ekonominë e së nesërmes.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: