Sport
Formë e shkëlqyer për Shqipërinë U-15 në Azerbajxhan, kuqezinjtë kërkojnë fitoren e katërt ndaj Perusë
Reklamë e Sponsorizuar
Kombëtarja e Shqipërisë U-15 po kalon një moment fantastik në fazën e dytë të turneut ndërkombëtar "FIFA U-15 World Cup & Festival 2026", ngjarje sportive kjo që po organizohet në tokën e Azerbajxhanit.
Sfidës ndaj Egjiptit i kanë pasuar tri triumfe rresht për talentet kuqezinj, të cilët nën drejtimin e trajnerit Armand Dama po dëshmojnë grintë, potencial të lartë dhe qëndrueshmëri në arenën ndërkombëtare.
Seria e sukseseve nisi me fitoren e thellë 4-1 kundër Algjerisë, u pasua nga triumfi me shifrat 2-1 ndaj Australisë, ndërsa pasditen e sotme djemtë e rinj kuqezi shtuan një tjetër fitore mbresëlënëse në llogarinë e tyre, duke mposhtur Bosnje-Hercegovinën në një ndeshje spektakolare që përfundoi me rezultatin 4-3.
Kalendari nuk lë kohë për festë, pasi përfaqësuesja jonë U-15 do të kthehet sërish në fushën e blertë ditën e nesërme, për aktin e fundit të këtij kompeticioni kundër Perusë. Ky duel do të vulosë pozicionimin përfundimtar të Shqipërisë në këtë edicion, e cila pritet ta mbyllë aventurën e saj në Azerbajxhan mes vendit të 17-të dhe të 18-të.
Pavarësisht shifrave dhe pozicionit në tabelë, eksperienca e fituar në "FIFA U-15 World Cup & Festival 2026" mbetet një gur i çmuar për zhvillimin e futbollistëve të rinj, të cilët patën mundësinë e artë të matnin forcat dhe të përshtateshin me filozofitë e ndryshme të lojës nga e gjithë bota.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: