Politikë
Sektori i mbrojtjes drejt kornizës së re ligjore: Maqedonci paralajmëron miratimin e ligjit në janar 2027
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur gjatë seancës parlamentare se koncept-dokumenti për industrinë e mbrojtjes do t'i përcillet Qeverisë për miratim gjatë javës së ardhshme, ndërsa miratimi i ligjit përkatës pritet të ndodhë në fillim të vitit 2027.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit të AAK-së, Burim Ramadani, kreu i Mbrojtjes theksoi se drafti përfundimtar është finalizuar pas përfundimit të fazës së konsultimeve publike.
“Dokumenti final është përfunduar këtë javë. Nga java e ardhshme ne do ta përcjellim në Qeveri për miratim dhe më pas do ta sjellim në Kuvend brenda këtij viti, në mënyrë që t’i hapet rrugë që qysh në fillim të vitit të ardhshëm, në janar, të miratohet ligji për industrinë e mbrojtjes”, u shpreh Maqedonci.
Në anën tjetër, deputeti Ramadani shprehu kritika lidhur me ritmin e ngadaltë të krijimit të kornizës ligjore, duke pretenduar se afatet e parashikuara në koncept-dokument mund ta shtrijnë procesin deri në fund të vitit 2028 ose në nisje të vitit 2029.
Si kundërpërgjigje, ministri sqaroi se mungesa e deritanishme e një ligji të posaçëm nuk e ka penguar prodhimin në këtë sektor, pasi kjo fushë është rregulluar më herët përmes legjislacionit të dikastereve të tjera.
“Ne normalisht jemi tani duke e kaluar aty ku duhet, në Ministrinë e Mbrojtjes, ligjin për industrinë e mbrojtjes”, shtoi më tej ai.
Maqedonci bëri me dije se gjatë përgatitjes së këtij dokumenti strategjik janë marrë për bazë praktikat dhe modelet e vendeve si Kroacia, Estonia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sllovenia, Turqia dhe Shqipëria, ndërsa i gjithë procesi ka gjetur mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së dhe Odës Ekonomike Amerikane.
Gjatë diskutimeve në Kuvend, deputeti Ramadani ngriti gjithashtu shqetësime rreth përfshirjes së Irfan Lipovicës në grupin punues për koncept-dokumentin, duke vënë njoftuar se ndaj tij rëndon një aktakuzë.
“Irfan Lipovica nuk u desh me qenë në këtë grup. Është edhe ministrja këtu, nuk u desh! Pra është gabim, njerëz me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare me qenë në grup për industrinë e mbrojtjes është fatkeqësi”, u shpreh Ramadani.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: