Kronikë
Vrasja e Liridona Ademajt: Vëllai kërkon dënim maksimal në Apel për të gjithë të pandehurit
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata e Apelit ka zhvilluar këtë të enjte seancën e kolegjit, ku janë shqyrtuar ankesat lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ngjarje kjo për të cilën Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë shpallur fajtorë.
Në përfundim të seancës gjyqësore, Leonard Ademaj, vëllai i ndjerës, ka dalë me një kërkesë të prerë, duke kërkuar që drejtësia të vë në vend duke dhënë burgim të përjetshëm për të gjithë të akuzuarit e këtij krimi të rëndë.
Para mediave, Ademaj ka gjetur gjithashtu rastin t'i drejtojë një mesazh ngushëllimi familjes së Arlinda Zekajt, duke ndarë dhimbjen e tyre të madh. “Edhe pse seanca është për motrën tonë, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Arlindës, Arlinda Zekajt. Ne e kuptojmë dhimbjen e tyre”, u shpreh ai.
Ai ka shtuar se skenat e paraqitura në sallën e gjyqit nuk i shërbejnë imazhit të shoqërisë, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së grave dhe nënave tona përmes vendimeve shembullore nga institucionet e drejtësisë.
“Ajo çfarë pamë sot ne në këtë seancë nuk ishte e hijshme as për ju, as për ne dhe as për njerëzit të cilët na shohin. Sepse sot gjykata mundi të thotë të vërtetën dhe mund t’i lërë edhe mediat dhe të krijojë atë bindjen se ne i mbrojmë gratë, ne i mbrojnë motrat dhe nënat tona”, deklaroi ai.
Duke folur për pritshmëritë nga shkalla e dytë e gjyqësorit, Leonard Ademaj ka theksuar se familja kërkon dënimin më të rreptë ligjor për secilin prej të përfshirëve.
“Pra, ne presim që vendimi të jetë i ai si për Naimin si dhe Granitit me burgim të përjetshëm, ndërsa shpresojmë shumë që këtij vendimi t’i bashkëngjitet edhe Kushtrimi me burgim të përjetshëm”, u shpreh ai gjatë prononcimit për gazetarët.
Në fund të fjalës së tij, ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e pakursyer mediatike, duke bërë thirrje që shoqëria dhe institucionet të angazhohen seriozisht për t'i dhënë fund fenomenit të femicidit.
Kujtojmë se Liridona Ademaj u ekzekutua në nëntor të vitit 2023 në fshatin Bërrnicë të Prishtinës. Me aktgjykimin e shpallur më 21 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, kurse Kushtrim Kokalla ishte dënuar me 30 vjet heqje lirie.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: