Kronikë
Masakra e Gjakovës: Më 21 dhjetor nis gjykimi në mungesë për Milan Radoiçiqin dhe 19 të tjerë
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar datën 21 dhjetor 2026 për mbajtjen e seancës fillestare ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 të pandehurve të tjerë, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, konkretisht për vrasjen e 107 civilëve.
Lista e të akuzuarve në këtë dosje përfshin emrat e Milovan Kovaçevic, Radomir Çoliq, Milosh Doshan, Predrag Ristiq, Sërgjan Kërstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Bozhoviq, Vladirmir Bozhoviq, Robert Dobruna, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shqepanoviq, Milan Radoiçiq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.
Sipas kërkesës zyrtare të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e gjithë procedura gjyqësore do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm për autoritetet e drejtësisë deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
Institucioni i drejtësisë u ka bërë thirrje publike 20 personave në fjalë që të dorëzohen dhe të paraqiten vullnetarisht para organeve të ndjekjes në Republikën e Kosovës.
Njëkohësisht, gjykata u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që mund të kenë informacione të vlefshme mbi vendndodhjen aktuale të të akuzuarve, që t'i adresojnë ato menjëherë në Policinë e Kosovës apo në institucionet e tjera kompetente.
Seanca e paraparë gjyqësore do të hapet më 21 dhjetor 2026, duke filluar nga ora 09:30, shtëpia e drejtësisë ka njoftuar se trupi gjykues do të udhëhiqet nga kryetari Leon Përlaska.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte zyrtarizuar aktakuzën më 6 gusht 2026, duke propozuar gjykimin në mungesë për këtë grup prej 20 personash, të ngarkuar me krime lufte në Gjakovë dhe vrasjen e 107 civilëve të pafajshëm, ku bën pjesë edhe figura e Milan Radoiçiqit.
Më herët, më datë 27 mars 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhërarreste zyrtare për Milan Radoiçiqin dhe 19 të pandehurit e tjerë nën dyshimin e bazuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.
Urdhërarrestet kërkonin ndalimin dhe shoqërimin e menjëhershëm të të gjithë personave të përfshirë, duke përfshirë Milovan Kovaçevicin, Radomir Çoliqin, Milosh Doshanin, Predrag Ristiqin, Sërgjan Kërstiqin, Ljubisha Obradoviqin, Zhivko Sariqin, Spaso Sariqin, Lazar Drashkoviqin, Zvonko Ristiqin, Darko Gligorijeviqin, Çedomir Bozhoviqin, Vladirmir Bozhoviqin, Robert Dobrunajn, Radomir Rakoviqin, Ljubisha Rakoviqin, Milosh Shqepanoviqin, Milan Radoiçiqin, Svetislav Gligorijeviqin dhe Tomica Avramoviqin.
Sipas dokumentit të prokurorisë, ngjarjet datojnë gjatë periudhës 1998-1999, ku M.K. në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R.Ç. si komandant i Policisë së Posaçme (PJP) dhe M.D. si komandant i Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me pjesëtarët e tjerë të akuzuar, kanë marrë pjesë aktive në vrasjen e 107 civilëve gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor.
Gjatë këtij aksioni të dhunshëm, sipas të dhënave të aktakuzës, forcat kanë ndarë fillimisht gratë dhe fëmijët nga burrat e familjeve.
Ndërsa gra janë plaçkitur duke u marrë stolitë e arit, paratë dhe pasuritë e luajtshme, burrat janë ekzekutuar brutalisht nëpër shtëpitë dhe oborret e tyre, si dhe në zonën e njohur si “Ura e Taliqit”, ndërkohë që banesat dhe shtëpitë janë djekur plotësisht.
Vlen të theksohet se Milan Radoiçiq përballet gjithashtu edhe me akuza të tjera të rënda, përfshirë rolin e tij si organizator kryesor i sulmit terrorist në Banjskë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: