Politikë
Vushtrri: Qarkullimi i kamionëve në qendër po shkatërron kalldrëmin dhe bllokon trafikun, reagon Cecelia
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeqendra e vjetër e Vushtrrisë po përballet me dëmtimin e infrastrukturës dhe bllokime të shpeshta të qarkullimit si pasojë e qarkullimit të pakontrolluar të mjeteve të rënda. Këtë shqetësim e ka ngritur publikisht Fatmire Cecelia, anëtare e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, e cila ka drejtuar kritika të ashpra ndaj ekzekutivit lokal për menaxhimin e situatës në zonën qendrore të qytetit.
Sipas asamblistes Cecelia, mjetet e transportit të mallrave vazhdojnë të shkarkojnë produkte edhe jashtë fashave orare të përcaktuara me rregullore. Kjo dukuri, përveçse po vështirëson lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve, po shkakton dëme të konsiderueshme në kalldrëmin historik të kësaj pjese të qytetit.
Ajo ka bërë të ditur se ky problem jetik për qytetin është adresuar në disa seanca të Kuvendit Komunal, mirëpo deri më sot mungojnë ndërhyrjet efektive dhe veprimet e duhura nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, si dhe nga ajo e Inspekcionit.
Në këtë linjë, Cecelia i ka bërë thirrje dikastereve kompetente komunale që të rrisin vigjilencën dhe të garantojnë respektimin e rregullave për oraret e furnizimit dhe tonazhin e lejuar të mjeteve që futen në zemër të qytetit.
Duke vënë theksin te rëndësia e trashëgimisë, ajo ka kujtuar se bërthama e vjetër e Vushtrrisë bart historinë dhe identitetin tonë kolektiv, prandaj kërkon mbrojtje dhe vëmendje të shtuar institucionale.
“Qyteti ynë meriton më shumë kujdes dhe përgjegjësi institucionale”, ka përfunduar reagimin e saj zyrtar Cecelia.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: