Kronikë
Kriza e meritokracisë: Kur burokracia dhe pushteti personal mbysin lirinë akademike në universitete
Reklamë e Sponsorizuar
Kur institucionet e larta të arsimit drejtohen nga individë që, sipas nevojave të momentit, ndërrojnë rolet mes prokurorit, avokatit, gjykatësit apo ligjvënësit, jeta akademike rrezikon të katandiset në një mekanizëm të ftohtë burokratik. Në këtë skenar, format e ngurta mbizotërojnë mbi kërkimin shkencor, ndërsa ambiciet personale lënë në hije meritën e mirëfilltë.
Atëherë kur drejtuesi rezulton se i njeh mirë strukturat e administratës dhe drejtësisë për shkak të angazhimeve të kaluara, rreziku nuk fshihet te vetë ky formim, por te shfrytëzimi i tij me standarde të dyfishta. Kjo sjell manipulimin e rregullave për qëllime personale, përvetësimin e kompetencave që u takojnë instancave të tjera dhe shndërrimin e çdo procedure të thjeshtë në një labirint burokratik me shkresa pafund dhe justifikime të panevojshme.
Si pasojë e kësaj qasjeje, zgjidhja e një problemi administrativ kërkon qarkullimin e dhjetëra dokumenteve nga njëra zyrë te tjetra, ndërkohë që përgjegjësia tretet në morinë e burokracisë.
Katedrat dhe njësitë akademike, të cilat do të duhej të ishin vatra të zhvillimit të mendimit shkencor, detyrohen të harxhojnë kohë dhe energji të çmuar duke interpretuar nene, ligje e udhëzime. Kjo ndodh në kurriz të diskutimeve për kërkimin shkencor, ngritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe përgatitjes profesionale të brezave të rinj.
Në mjaft mjedise universitare të kësaj natyre, administratë-punonjësit fitojnë peshë më të madhe vendimmarrëse sesa pedagogët që i kanë kushtuar jetën auditorëve, botimeve shkencore dhe përgatitjes së studentëve.
Kjo përmbysje e standardeve vendos profesorin nën urdhërat e burokratit, shkencën nën diktatin e procedurës dhe meritën në pritje të miratimit nga pushteti administrativ.
Në këtë mënyrë, universiteti rrezikon të humbasë rolin e tij si hapësirë e debatit të hapur, mendimit kritik dhe krijimtarisë, duke u shndërruar në një ambient ku forca shpenzohet për t'i shërbyer vullnetit të eprorëve dhe për të margjinalizuar zërat ndryshe.
Edhe pse krahasimet me të kaluarën komuniste nuk përbëjnë zgjidhje dhe nuk duhen idealizuar, mbetet paradoksale që në një sistem demokratik që thirret në lirinë akademike, të dëshmojmë praktika që e shmangin universitetin nga misioni i tij parësor.
Institucionet e larta të arsimit nuk kanë nevojë për ringjallje të autoritarizmit, por për rikthimin e autoritetit të dijes, mbrojtjen e dinjitetit të pedagogut, garantimin e pavarësisë shkencore dhe forcimin e përgjegjshmërisë institucionale.
Në një universitet funksional, struktura administrative ekziston për t'i shërbyer qëllimit akademik dhe jo për të dominuar mbi të. Rregulloret duhet të shërbejnë si garanci për drejtësinë, jo si mjete presioni ndaj zërave të papëlqyeshëm apo si privilegj për individë të caktuar.
Drejtuesi i një institucioni të tillë nuk mund të funksionojë as si prokuror i stafit, as si avokat i interesave vetjake, as si gjykatës i fatit të kolegëve dhe as si ligjvënës që ndryshon kriteret sipas interesit. Përkundrazi, ai mbetet drejtues i dijes, i detyruar të respektojë autonominë dhe integritetin e komunitetit akademik.
Universiteti nuk përbën pronë private të askujt, por mbetet pasuri e shoqërisë dhe e gjeneratave që vijnë.
Kur burokracia mbizotëron mbi shkencën, kur bindja ndaj eprorit vlerësohet më shumë se aftësia dhe kur procedurat shërbejnë për bllokim e jo për zgjidhje, atëherë sfida nuk është vetëm administrative, por një krizë e thellë e mirëfilltë e udhëheqjes.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: