Sport
Investoi 5,600 euro për El Clasicon, por përfundoi duke e parë ndeshjen në taksi bashkë me të birin
Reklamë e Sponsorizuar
Një histori e pazakontë i ka ndodhur një familjeje nga Sllovakia, të cilët pretendojnë se janë dëbuar nga shkallët e stadiumit ‘Camp Nou’ vetëm pse festuan një gol të Real Madridit në përballjen e zjarrtë kundër Barcelonës, sfidë e cila u mbyll me fitoren 2-1 të madrilenëve.
Frantisek Vavrek kishte planifikuar një udhëtim ndryshe nga të tjerët për t’i bërë një dhuratë të paharrueshme të birit, Denis, me rastin e mbushjes së 18 vjeç. Megjithatë, ajo që duhej të ishte një ditëlindje mitike, u shndërrua në zhgënjim të plotë, duke bërë që pjesën e mbetur të takimit ta përjetonin përmes ekranit të telefonit teksa ndodheshin të izoluar brenda një taksie.
Duke rrëfyer detajet për median spanjolle Marca, Vavrek tregoi se nisja e udhëtimit të tyre kishte filluar nga qyteti Presov i Sllovakisë, duke udhëtuar 300 kilometra drejt Budapestit për të siguruar më pas fluturimin drejt Katalonjës. Në këtë aventurë futbollistike ata shoqëroheshin edhe nga miqtë e tyre kroatë, Krunoslav Pipinic dhe i biri i tij, Kresimir, i cili gjithashtu kishte festuar ditëlindjen e 18-të pak ditë para këtij eventi.
Për të siguruar katër bileta të kategorisë elitare, me një vlerë prej 1,400 eurosh për secilën, Vavrek kishte shpenzuar gjithsej 5,600 euro. Ulëset e tyre ndodheshin në sektorin 113, një zonë e rrethuar tërësisht nga mbështetësit vendas të Barcelonës.
Sfidat për tifozët sllovakë nisën qysh në hyrje të impianteve sportive. Sipas dëshmisë së Vavrekut, punonjësit e sigurimit nuk i lejuan të futeshin brenda me fanellat e klubit të tyre të zemrës, madje duke u kërkuar që t’i flaknin në koshin e mbeturinave.
Duke refuzuar këtë kusht, ata i futën fanellat në çantë vetëm sa për të kaluar kontrollin e sigurisë, për t’i veshur sërish sapo u ulën në vendet e tyre, rreth 20 minuta para fillimit zyrtar të ndeshjes.
Vavrek theksoi se i kishin mbajtur të veshura fanellat për afro një orë të plotë para se situata të tensionohej, duke mohuar çdo tentativë për të provokuar në mënyrë të qëllimshme publikun vendas.
Kulmi i ngjarjes ndodhi në minutën e 40-të, kur sulmuesi Kylian Mbappe realizoi golin e epërsisë për Real Madridin. Në atë moment, Vavrek dhe i biri u ngritën në këmbë për t'u përqafuar, por vetëm pak çaste më vonë, një grup prej rreth dymbëdhjetë pjesëtarësh të sigurimit privat u afruan dhe i shoqëruan me dhunë drejt daljes.
"Ne nuk kryem asnjë akt dhune, nuk kërcënuam askënd dhe as nuk nxitëm dhunë. Thjesht festuam golin duke u ngritur në këmbë dhe duke përqafuar njëri-tjetrin", u shpreh Vavrek për Marca, duke shtuar se gjatë largimit janë përballur me fyerje dhe fishkëllima nga tifozët përreth, pa reaguar në asnjë moment.
Fillimisht, autoritetet e stadiumit u kishin sugjeruar se mund të ktheheshin në ulëset e tyre nëse pranonin të hiqnin fanellat. Megjithatë, pas një konsultimi me eprorët, ky vendim ndryshoi menjëherë.
"Na thanë se shumë tifozë të Barcelonës na kishin njohur tashmë dhe se nuk mund të garantonin sigurinë tonë. Kishin frikë se mund të na sulmonin nëse ktheheshim në të njëjtat vende", shtoi ai.
Pas nxjerrjes jashtë objektit sportiv, në vendngjarje ka ndërhyrë edhe policia, e cila ka legjitimuar shtetasit e huaj dhe ka përpiluar një procesverbal për ngjarjen.
Sipas versionit të policisë të përcjellë nga tifozi, prezenca e fanellave dhe festimi u konsideruan si veprime provokuese ndaj mbështetësve vendas, ndërsa sjellja e tyre u cilësua si potencialisht e rrezikshme. Vavrek ka kundërshtuar ashpër këto konstatime, duke kërkuar zbardhjen e së vërtetës përmes kamerave të sigurisë dhe dëshmitarëve okularë.
Verifikimet policore zgjatën rreth 45 minuta, kohë gjatë së cilës ata e panë pjesën tjetër të ndeshjes në telefon, para se të largoheshin përfundimisht me taksi së bashku me djalin e tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: