Sport
Neymar përballet me rrezikun e një pezullimi të gjatë: Akuzohet për abuzim verbal ndaj kundërshtarit
Reklamë e Sponsorizuar
Ylli brazilian, Neymar, ndodhet në qendër të një stuhie disiplinore, pasi ndaj tij është hapur një procedurë zyrtare në Gjykatën Sportive të Brazilit. Sulmuesi rrezikon një dënim deri në gjashtë ndeshje pezullim, për shkak të dyshimeve për shkeljen e së ashtuquajturës "rregulla Vinicius Junior", që ndalon fyerjet apo abuzimet verbale në fushën e lojës.
Incidenti ndodhi gjatë barazimit 1-1 mes Santosit dhe Bahias, ku Neymar u ndëshkua me karton të kuq pas një përplasjeje të tensionuar me mesfushorin Rodrigo Nestor. Vëmendja u fokusua te një veprim i sulmuesit, i cili e mbuloi gojën me dorë gjatë debatit, duke ngritur dyshime të forta për fjalët që i ka drejtuar kundërshtarit.
Klubi i Bahias ka reaguar ashpër ndaj kësaj ngjarjeje, ndërsa vetë Rodrigo Nestor ka pohuar se është fyer rëndë nga Neymar. "Ajo që më tha ishte jashtëzakonisht mosrespektuese, si ndaj meje, ashtu edhe ndaj fanellës së Bahias", u shpreh mesfushori pas përfundimit të takimit.
Në anën tjetër, Neymar i ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet, duke këmbëngulur se nuk ka përdorur gjuhë fyese ndaj Nestorit dhe se, përkundrazi, ka qenë futbollisti i Bahias ai që provokoi konfliktin. Megjithatë, sulmuesi ka pranuar se mbulimi i gojës me dorë ishte një veprim i papërshtatshëm që ka nxitur edhe më shumë spekulimet.
Fati i 34-vjeçarit do të vendoset këtë të mërkurë para organit disiplinor. Nëse konfirmohet dënimi maksimal, Neymar do të humbasë pjesën e mbetur të kampionatit brazilian, një humbje kjo që do të ishte tejet e rëndë për Santosin. Aktualisht, skuadra renditet në vendin e tetë dhe ndodhet 12 pikë larg zonës së rënies nga liga, me gjashtë ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: