Sport
Vllaznia sy më sy me Vorën, trajneri Laszlo: Synojmë fitoren, na pret një sfidë e re dhe komplekse
Reklamë e Sponsorizuar
Në prag të sfidës së radhës kundër Vorës, e cila do të zhvillohet nesër në orën 13:30, trajneri i Vllaznisë, Csaba Laszlo, ka dalë në një konferencë për mediat ku ka analizuar këtë duel të rëndësishëm.
Tekniku i kuqebluve ka shprehur vlerësim maksimal për kundërshtarin, por ka bërë të qartë se objektivi i vetëm i skuadrës së tij mbetet marrja e tri pikëve të plota.
“Nuk mund të mendojmë gjithmonë për të kaluarën nëse duam të ndërtojmë të ardhmen”, u shpreh Laszlo në nisje të fjalës së tij.
Ai theksoi se sfida e nesërme do të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo e mëparshmja, duke kërkuar përqendrim maksimal: “Për këtë ndeshje duhet të jemi të përgatitur fizikisht dhe mendërisht, pasi është një situatë e re për ekipin. Tre ndeshje brenda javës, ndaj duhet të ruajmë ekuilibrin e mirë.”
Trajneri shtoi se ekipi duhet të përballojë këtë ritëm dhe të përshtatet shpejt me kushtet e reja, duke përfshirë edhe faktin se ndeshja do të luhet në një stadium me bar artificial.
Duke folur për ecurinë dhe objektivat, Laszlo u shpreh se kjo është një përballje me peshë për të dyja formacionet: “Duhet të stabilizojmë pozicionin, ndoshta të ngjitemi më lart, por gjithmonë mendoj se nuk duhet të flasim për tabelën e klasifikimit, pasi e dimë se duhet të mbledhim ende shumë pikë.”
Ai kujtoi gjithashtu se kur ka marrë drejtimin e skuadrës, shumë e kanë parë si ekip jo-favorit në tri ndeshjet e para, një status që sipas tij nuk e cilëson as tani: “Edhe në këtë ndeshje nuk shkoj si ekip favorit, por për të treguar që jemi ekip konkurrues. Nëse marrim një pikë apo tri pikë, është një ndryshim i madh.”
“Për natyrën që kam, dua të fitoj çdo ndeshje, por ndonjëherë, edhe kur merr një pikë, thua se është fantastike. Por aktualisht kam folur për situatën tonë dhe duhet të mendoj vetëm për tri pikët. Unë mendoj se është një mesazh shumë i rëndësishëm për ekipin, sepse duhet ta dijë që kemi besim. Jemi një ekip konkurrues ndaj kujtdo”, u shpreh ai.
Në mbyllje të prononcimit të tij, kreu i stafit teknik të Vllaznisë vuri theksin te disiplina dhe puna në fushë: “Në fund të ditës, çfarëdo që të dalë, nuk mund ta kontrolloj. Por gjatë ndeshjes mund të kontrollojmë shumë gjëra dhe kjo është ajo që dua të shoh nga ekipi im.
Është shumë e rëndësishme si mesazh për të gjithë që duhet të qëndrojmë me të dyja këmbët në tokë dhe, nëse dikush mundohet të fluturojë, unë e kap që ta ul me këmbë në tokë.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: