Politikë
Tensione në Komisionin e Ekonomisë: Opozita paralajmëron mbështetje për studentët në shesh, Braçe replikon me ashpërsi
Reklamë e Sponsorizuar
Përplasjet verbale kanë shoqëruar nisjen e mbledhjes së radhës në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ku situata e krijuar nga protestat në vend është vënë në qendër të diskutimeve mes mazhorancës dhe opozitës.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Aliolli, e cila mori fjalën gjatë mbledhjes, theksoi se fokusi nuk mund të shkëputet nga të rinjtë që ndodhen në sheshe, duke premtuar se forca e saj politike do të jetë në çdo hap krah tyre. Ajo solli në vëmendje rastin e rëndë të të riut nga Elbasani, Erjonit, për të cilin tha se rrezikon shikimin si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj protestuesve.
"Mbledhja nuk mund të ketë një rend dite normale, duke ditur që jashtë kësaj salle ka të rinj që protestojnë për të drejtën e tyre. Nga ana tjetër, ata dhunohen. Konkretisht kemi rastin e djalit nga Elbasani, Erjonit, i cili sot po lufton për veten e tij, sepse është në rrezik të humbasë shikimin. Realiteti që jetojmë është ky. Dhunë që po ushtrohet në mënyrë shtazarake ndaj protestuesve, të rinjve, studentëve, ndaj të gjithë njerëzve në shesh. Ata po luftojnë për të drejtën e tyre dhe kundër modelit që ka ndërtuar Edi Rama. PD do të jetë në mbështetje të të rinjve. Studentët janë në shesh dhe ne do të jemi në shesh", u shpreh Aliolli, e cila më pas u largua nga salla.
Në kundërpërgjigjen e tij, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, e vendosi theksin te dallimi mes protestës paqësore dhe akteve të dhunshme, duke ripërsëritur se mazhoranca mbetet e hapur për dialog, por distancohet nga çdo formë e shkeljes së ligjit.
"E vërtetë është. Prej 15 ditësh ka protesta në Tiranë, madje më shumë se 15 ditë. Diferenca është që protestat e këtyre 15 ditëve kanë qenë të dhunshme dhe dhuna ka tejkaluar ligjin dhe rendin publik e kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Unë shpreh keqardhjen e pafundme për çdo të lënduar nga aktet e dhunës, përfshirë atë ndaj efektivëve të policisë, ashtu siç shpreh keqardhjen për çdo akt dhune ndaj qytetarëve në protestë. Diferenca nuk e bën termin student. Diferencën e bëjnë aktet e dhunës. Ne kemi të gjithë vëmendjen e duhur për të dëgjuar kërkesën e studentëve, me përjashtim të atyre që ushtrojnë dhunë dhe nuk lejojnë vendosjen e një dialogu të qartë të qytetarëve në protestë. Patjetër që gjithësecili bën punën e tij. Përfaqësuesit e PD-së kanë zgjedhur këtë qëndrim. Ne kemi zgjedhur këtë qëndrimin tjetër", deklaroi ndër të tjera Braçe.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: