Kronikë
Tragjedia në Pejë: Sot i jepet lamtumira e fundit Arlinda Zekajt, viktima që alarmoi shtetin para vrasjes
Reklamë e Sponsorizuar
Sot do t'i jepet lamtumira e fundit Arlinda Zekajt, e cila u vra tragjikisht të dielën në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku i dyshuar kryesor është kunati i saj. Familja ka bërë të ditur se ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 15:00, në fshatin Radac të Pejës.
Krimi i rëndë që i mori jetën 49-vjeçares ndodhi më 25 tetor në brendësi të shtëpisë së saj. I dyshuari për këtë ngjarje, Albert Sylaj, vazhdon të jetë në kërkim nga Policia e Kosovës dhe ndodhet ende në arrati.
Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur thellë opinionin publik, veçanërisht pas zbulimit se e ndjera kishte kërkuar ndihmë nga organet e rendit vetëm tri ditë para se të ndodhte tragjedia. Më 22 tetor, ajo i kishte dërguar një letër Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për shkak të kërcënimit ndaj jetës së saj.
Në letrën e saj paralajmëruese, ajo shkruante: “Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”. Për më tepër, ngjarja e rëndë ndodhi pak orë pasi Arlinda kishte denoncuar në polici ish-bashkëshortin e saj për kanosje, çka ka ngritur dyshime dhe pikëpyetje të mëdha lidhur me reagimin e institucioneve dhe trajtimin e kërkesave të saj për mbrojtje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: