Kronikë
E kaluara kriminale e të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt, Sveçla zbardh detajet tronditëse
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se personi i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt rezulton me një të kaluar kriminale dhe me një dosje të rëndë në regjistrat e Policisë së Kosovës.
Gjatë seancës së mbajtur sot, Sveçla ka shprehur shqetësimin e thellë për vendimmarrjen institucionale, e cila sipas tij ka çuar në shkëputjen e Arlindës nga fëmija i saj dhe në zhveshjen e saj nga të drejtat pronësore, duke e lënë viktimën të pambrojtur përballë rrezikut.
“Ajo ishte e privuar nga fëmija i saj. Si një institucion ka marrë vendim që ta ndajë fëmijën nga nëna e t’ia japë babait, i cili pastaj këtë përgjegjësi ia delegon vëllait të tij, i cili paraprakisht ka një dosje të rëndë në Policinë e Kosovës. Kurse ligji thotë që pothuajse automatikisht besimi për fëmijën i takon nënës”, u shpreh ministri.
Sveçla ka trajtuar edhe aspektin pasuror të konfliktit, duke theksuar se sipas të dhënave që posedon, prona i përkiste të dy bashkëshortëve.
“Ajo është privuar nga prona, sipas informacioneve, prona ka qenë e çiftit. E bashkëshortit dhe bashkëshortes. Si dikush ka vendosur që ajo të privohet nga prona është e çuditshme po ashtu, në vend se dhunuesi dhe kërcënuesi të arrestohet kurse e kërcënuara të jetë e sigurt në pronën e saj, me fëmijën e saj, ka ndodhur e kundërta”, shtoi ai.
Duke e quajtur shuarjen e jetës si humbjen më tragjike, ministri ka konfirmuar se strukturat e sigurisë janë vënë në lëvizje të plotë për kapjen sa më parë të autorit të dyshuar.
“Privimi më i rëndë është ai nga jeta. Ne jemi angazhuar maksimalisht që krimineli të arrestohet sa më shpejt”, deklaroi Sveçla.
Në fund, ai njoftoi se me iniciativën e tij, ky rast është përcjellë për trajtim në instancat më të larta policore, ndërkohë që ka kërkuar zyrtarisht që hetimet të kalojnë në kompetencë të Prokurorisë Speciale e jo asaj rajonale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: