Aktuale
A po heshtim çdo ditë e më shumë? Studimi zbulon rënien e ndjeshme të fjalëve të folura
Reklamë e Sponsorizuar
Vëllimi i fjalëve që njerëzimi përdor në jetën e përditshme ka shënuar një ulje mesatare prej 338 fjalësh për çdo vit gjatë harkut kohor 2005–2019.
Ekspertët e fushës shprehin shqetësim rreth pasojave që ky transformim në zakonet tona komunikuese mund të ketë mbi lidhjet ndërpersonale dhe ekuilibrin tonë emocional.
Prirja e njerëzve për të folur gjithnjë e më pak vjen si pasojë e zhvendosjes së vëmendjes nga bisedat tradicionale drejt mesazheve tekstuale dhe hapësirave dixhitale. Një hulumtim shkencor i botuar në revistën 'Perspectives on Psychological Science' sjell në vëmendje tkurrjen e theksuar të bisedave të përditshme.
Sipas gjetjeve, gjatë periudhës 14-vjeçare nga 2005 deri në 2019, sasia e fjalëve të shqiptuara ka rënë me një mesatare vjetore prej afro 338 fjalësh në ditë, duke përbërë kështu një zvogëlim total të vlerësuar në rreth 28 për qind.
Autorët e këtij vlerësimi janë Valeria A. Pfeifer nga Universiteti i Misurit–Kansas City dhe Matthias R. Mehl nga Universiteti i Arizonës. Për realizimin e tij, ata shqyrtuan të dhënat e 22 hulumtimeve të ndryshme, të cilat përfshinin 2,197 pjesëmarrës të moshave nga 10 deri në 94 vjeç, kryesisht me banim në Shtetet e Bashkuara, por edhe në vende të tilla si Meksika, Australia dhe shtete evropiane.
Në mënyrë që të matej saktësisht komunikimi verbal në mjediset e jetës reale, shkencëtarët shfrytëzuan audio-regjistrime të marra nga përditshmëria e vetë vullnetarëve. Rezultatet treguan një mesatare prej 12,792 fjalësh të folura çdo ditë, shifër kjo dukshëm më e ulët krahasuar me 15,959 fjalë në ditë që ishin regjistruar në një projekt të ngjashëm të vitit 2007.
Megjithatë, hulumtuesit sqarojnë se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se njerëzit po varfërojnë fjalorin e tyre personal, por tregon se komunikimi me zë po zëvendësohet gradualisht nga mënyra të reja ndërveprimi.
Evolucioni i pajisjeve të mençura, shkëmbimi i mesazheve të shpejta dhe rrjetet sociale kanë transformuar rrënjësisht urat tona lidhëse. Shpeshherë, një thirrje telefonike ja lë vendin një mesazhi të thjeshtë, ndërsa bisedat e çastit me një koleg apo fqinj mund të mungojnë krejtësisht.
Madje, edhe kontaktet më të vogla rutinë, sikurse përshëndetja e një fqinji, një fjali e shkëmbyer me shitësin e lagjes apo biseda e shkurtër me personin që na përgatit kafenë, përbëjnë shtylla mjaft të rëndësishme të jetës sonë shoqërore.
Pavarësisht se këto ndërveprime zgjasin shumë pak në kohë, ato ndërtojnë ura të vërteta njerëzore dhe forcojnë ndjesinë e përkatësisë në një komunitet.
Nga ana tjetër, mjetet dixhitale ofrojnë lehtësi të jashtëzakonshme, duke mbajtur të lidhur miqtë dhe familjarët që ndodhen larg njëri-tjetrit. Ndonëse kështu, mbetet ende e paqartë nëse bisedat e shkruara mund të kompensojnë plotësisht dobitë që sjellin takimet kokë më kokë apo të folurit me zë.
Autorët theksojnë se ky studim nuk vërteton në mënyrë të prerë se teknologjia është shkaktari kryesor i kësaj rënieje. Për të kuptuar më qartë shkaqet e kësaj dukurie, do të duhen analiza dhe kërkime të mëtejshme.
Vlera e komunikimit verbal nuk përmblidhet vetëm te fondi i fjalëve. Përdorimi i tonit të zërit, ritmit, pauzave, mimikës së fytyrës dhe gjuhës trupore janë thelbësore për të përcjellë ngarkesën emocionale dhe për të siguruar një kuptim të plotë mes palëve.
Për shembull, një shprehje e thjeshtë si “Jam mirë” mund të shprehë paqe, ankth apo zemërim, në varësi të intonacionit me të cilin shqiptohet. Gjatë një dialogu të drejtpërdrejtë, këto detaje e ndihmojnë dëgjuesin të lexojë më saktë gjendjen tonë shpirtërore dhe të përgjigjet si duhet.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: