Kronikë
Tragjedia në Vitomiricë, Albulena Haxhiu mbron Gërvallën e Sveçlën: Ku qëndron faji i tyre?
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dalë në mbrojtje të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me ngjarjen e rëndë të vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Gjatë fjalës së saj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Haxhiu ka hedhur poshtë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të dy ministrave, duke argumentuar se dikasteret që ata drejtojnë kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm përmes legjislacionit dhe mekanizmave ekzistues.
“Çfarë faji ka ministrja Gërvalla e ministri Sveçla, nëse Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme i kanë adresuar legjislacionin dhe mekanizmat që i kanë në dispozicion? Cila është përgjegjësia që ka ministrja e Drejtësisë këtu apo ministri i Punëve të Brendshme?”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, fokusi i opinionit dhe institucioneve nuk duhet të jetë aty, por te mënyra se si bëhet vlerësimi i rrezikshmërisë, si rrjedh informacioni mes institucioneve dhe sa rigorozisht zbatohen urdhërat mbrojtës.
Ajo ka kërkuar që fokusi të zhvendoset te hetimi i detajuar i çdo veprimi apo mosveprimi institucional që mund të ketë ndikuar në këtë tragjedi.
“Për këtë arsye, mënyra se si vlerësohet rreziku, si shkëmbehen informacionet mes institucioneve dhe si ndiqet zbatimi i masave mbrojtëse duhet të jenë në qendër të vëmendjes sonë. Në rastin e Arlindës kërkojmë të hetohet veprimi apo mosveprimi i secilit institucion që ka qenë i përfshirë”, ka shtuar ajo.
Këto deklarata të Haxhiut vijnë në një kohë kur, si pasojë e vrasjes së Arlinda Zekajt, janë rritur ndjeshëm thirrjet publike për përgjegjësi institucionale, përfshirë edhe kërkesat e drejtpërdrejta për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: