Politikë
Bllokada politike rrezikon të ardhmen evropiane: Kosova mund të ketë humbur mbi 40 milionë euro
Reklamë e Sponsorizuar
Për shkak të krizës politike dhe ngecjeve në realizimin e ndryshimeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian, Kosova ka shënuar rënie të ndjeshme në sektorë kyç si sundimi i ligjit, administrata publike dhe zhvillimi ekonomik. Këto vonesa kanë sjellë pasoja financiare, ku llogaritet se vendi mund të ketë humbur mbi 40 milionë euro nga fondet e Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.
Këto konstatime u bënë të ditura gjatë një tryeze të rrumbullakët të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), e cila u mbajt nën temën “Rruga e Kosovës drejt BE-së pas bllokadës politike: Nga momentumi në reforma”, ku u shqyrtua e ecuria e Agjendës së Reformave dhe e ardhmja evropiane e shtetit.
Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, theksoi se bllokadat e krijuara gjatë më shumë se dy viteve të fundit i kanë kushtuar rëndë vendit, duke reflektuar negativisht jo vetëm në aspektin kohor, por edhe në efikasitetin e institucioneve dhe mirëqenien e qytetarëve.
Duke iu referuar të dhënave nga llogaritjet e deritanishme qeveritare, ajo bëri të ditur se dëmi financiar mund t'i kalojë 40 milionë eurot e humbura nga përfitimet e Planit të Rritjes, ndërkohë që pritet edhe vlerësimi zyrtar nga ana e Bashkimit Evropian.
“Bllokadat që janë më shumë se përafërsisht dy vite, ka bërë që të ketë mungesë performance, dhe na ka kushtuar shumë. Jo vetëm në kohë, por edhe në mungesë performance në sundim të ligjit, në administratë publike, në zhvillim ekonomik, dhe në përmirësim të jetës së qytetarëve. Kjo është pjesë më e madhe në implementimin e agjendës së reformave për Kosovën, por edhe nga një vlerësim i qeverisë thuhet se përmasat që kanë qenë deri në qershor mund të jenë humbur mbi 40 milionë euro. Natyrisht, për këtë duhet pritur edhe vlerësimin e Bashkimit Europian. Tani, kemi shumë pak kohë deri në fund të dhjetorit, për të implementuar edhe 27 masa të tjera të cilave ju kalon afati përfundimisht në 31 dhjetor të këtij viti, dhe gjithë plani i rritjes, apo agjendës së reformave, deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm. Pra, koha nuk është në anën tonë, në njërën anë kemi urgjencë për të implementuar hapa reformues, kurse në anën tjetër mbetet po aq e rëndësishme që këto reforma të mbesin cilësore, dhe të mos implementohen veç sa për të qenë pjesë e agjendës së reformave”, deklaroi Arifi.
Sa i përket perspektivës eurointegruese, Arifi vlerësoi se institucionet vendore duhet të adoptojnë një qasje më të gjerë, duke u përgatitur jo vetëm për anëtarësimin përfundimtar, por edhe për mundësinë e përfshirjes së hershme në mekanizmat dhe politikat e BE-së përmes procesit të integrimit gradual.
“Në këtë kontekst, është shumë e rëndësishme të diskutohet edhe mbi perspektivën evropiane të Kosovës, e veçanërisht tani është shumë e rëndësishme për shkak se po diskutohen edhe forma të reja të zgjerimit, përfshirë edhe integrimin gradual. Kosova duhet të përgatitet jo vetëm për një anëtarësim të mundshëm në të ardhmen, por edhe për mundësitë e pjesëmarrjes më të hershme në politikat dhe mekanizmat evropianë. Për këtë, na duhen rezultate, nuk mjafton që të jemi vetëm populli më pro-evropian në Ballkan, por nuk mjafton as vetëm ambicia deklarative politike, por duhet të ketë edhe reforma të prekshme të cilat implementohen. Në anën tjetër, natyrisht BE duhet të ofrojë një perspektivë për Kosovën”, përfundoi ajo.
Në vazhdim të ngjarjes, autori i raportit dhe hulumtuesi i GLPS-së, Besar Gërgi, gjatë shpalosjes së të gjeturave për semestrin e tretë të Agjendës së Reformave, ka vazhduar me prezantimin e të dhënave para të pranishmëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: