Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Zbardhet ngjarja tragjike: Prokuroria zbulon hapat dhe vendimet e ndërmarra para vrasjes së Arlinda Zekajt

Redaksia Lajmetereja • 26-10-2026 10:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Zbardhet ngjarja tragjike: Prokuroria zbulon hapat dhe vendimet e ndërmarra para vrasjes së Arlinda Zekajt
Prokuroria Themelore në Pejë ka publikuar detaje lidhur me të gjitha veprimet institucionale të ndërmarra para vrasjes së Arlinda Zekajt, duke sqaruar mënyrën se a u trajtua kërkesa e saj, vendimet e gjykatës, si dhe angazhimin e Policisë së Kosovës dhe prokurorëve në ditët para kësaj tragjedie. Sipas njoftimit zyrtar, më 22 tetor 2026, kryeprokurorja e kësaj prokurorie kishte pranuar një shkresë nga e ndjera Arlinda Zekaj, në të cilën ajo kishte shprehur shqetësimet e saj mbi trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar angazhim për zbatimin e një vendimi gjyqësor. Pas shqyrtimit të kërkesës, kryeprokurorja i ka përcjellë informacionet në adresë të institucioneve relevante, duke përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Qendrën për Punë Sociale, si dhe Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave. Nga Prokuroria theksohet se organeve kompetente u është kërkuar trajtimi i menjëhershëm i situatës, verifikimi i pretendimeve për çfarëdo lëshimi të mundshëm dhe ndërmarrja e hapave të nevojshëm brenda kornizave ligjore. Njëkohësisht, kryeprokurorja kishte hapur një rast për hetimin e pretendimeve të ngritura nga Zekaj, me qëllim që të analizohet nëse veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve të përfshirë përbëjnë elemente të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Referuar dokumentacionit në kërkesën e Arlinda Zekajt, më 16 tetor 2026, gjykata kishte marrë një vendim që urdhëronte ish-bashkëshortin e saj t'i lejonte qasjen dhe shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët. Po ashtu, ishte vendosur një urdhër mbrojtjeje me afat gjashtëmujor, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë pas lëshimit. Në bazë të aktvendimit gjyqësor, detyra për ekzekutimin e këtij urdhri dhe njoftimin e gjykatës për çdo pengesë i takonte Policisë së Kosovës. Prokuroria bën me dije se në ditën kur viktima kërkoi zbatiumin e këtij vendimi për t'u kthyer në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës kishte njoftuar prokurorin kujdestar rreth rrethanave të krijuara. Duke analizuar situatën dhe nivelin e rrezikut për sigurinë e saj, prokurori i shtetit kishte konkluduar se kthimi i menjëhershëm në atë banesë mund të rrezikonte jetën dhe integritetin e viktimës. Për të garantuar mbrojtjen e saj, prokurori kishte ftuar në stacionin policor familjarët e viktimës, konkretisht vëllezërit e saj, për t'i njoftuar mbi situatën e ndodhur. Pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të Zekajt për t'u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit ka orientuar që ajo të strehohet përkohësisht te vëllezërit e saj, duke marrë parasysh rrezikun potencial. Me kërkesë të vetë viktimës, prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në prani të saj dhe familjarëve, kishin përpiluar një dokument zyrtar ku shpjegoheshin arsyet e vendimit për strehimin e saj te vëllezërit. Pas diskutimeve të zhvilluara, viktima kishte rënë dakord të shkonte te familjarët, mirëpo kishte kërkuar që ditën e nesërme të shoqërohej nga një patrullë policore gjatë kthimit në shtëpinë e përbashkët. Gjatë asaj nate, prokurori i shtetit dhe hetuesit e çështjes kishin bërë një rivlerësim profesional të rrezikshmërisë dhe masave të sigurisë që duheshin ndërmarrë në vijim.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar