Politikë
Gjykata Kushtetuese e Speciales jep vendimin për Pjetër Shalën: S’pati shkelje të të drejtave
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara ka marrë vendim lidhur me pretendimet e ngritura nga Pjetër Shala, duke i shpallur një pjesë të ankesave të papranueshme, ndërsa për pjesën tjetër ka vlerësuar se nuk ka pasur shkelje të Kushtetutës apo të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Sipas njoftimit zyrtar, ky aktgjykim është marrë më 23 tetor 2026, pasi mbrojtja e Shalës kishte ngritur shqetësime të ndryshme rreth mbarëvajtjes së procesit penal. Një ndër pretendimet e tij kishte të bënte me periudhën kohore mes kohës së krimeve të përfshira në aktakuzë dhe fillimit të gjykimit, për të cilën mbrojtja argumentonte se kishte dëmtuar drejtësinë e procesit. Megjithatë, trupi gjykues i shpalli këto pretendime të papranueshme për shkak se nuk ishin shteruar më parë mjetet juridike.
Për pjesën tjetër të pretendimeve, Gjykata konstatoi se Pjetër Shala ka pasur një gjykim kontradiktor dhe se i gjithë procesi ka qenë i drejtë dhe larg çdo arbitrariteti. Një tjetër çështje e ngritur ishte edhe kundërshtimi i pranimit dhe përdorimit të dëshmive të dhëna dikur pa praninë e një përfaqësuesi ligjor, dhënë fillimisht Tribunalit Penal për ish-Jugosllavinë dhe Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës.
Lidhur me këtë pikë, Gjykata vuri në dukje se atij i ishin siguruar mundësi të shumta për t'i kundërshtuar ato deklarata dhe përdorimin e tyre. Gjithashtu, u theksua se njëra prej dëshmive nuk ishte përdorur fare gjatë gjykimit, kurse të tjerat nuk kishin qenë faktorë përcaktues për shpalljen e tij fajtor.
Mbrojtja kishte ngritur shqetësime edhe sa i përket parimit të ligjshmërisë, duke kontestuar bazën ligjore të ndërmarrjes kriminale të përbashkët dhe veprës penale të ndalimit arbitrar. Ndaj kësaj, Gjykata përcaktoi se forma bazë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët është e njohur në të drejtën zakonore ndërkombëtare, dhe se në kohën përkatëse edhe ndalimi arbitrar kishte një bazë mjaftueshëm të qartë brenda kësaj të drejtë.
Si rrjedhojë e këtyre gjetjeve, u konkludua se nuk ka pasur asnjë shkelje të parimit të ligjshmërisë. Edhe pretendimi se aktakuza nuk kishte dhënë detaje të mjaftueshme për t'i mundësuar organizimin e mbrojtjes u rrëzua si i papranueshëm, pasi Gjykata vlerësoi se Shala kishte marrë informata dhe hollësi të mjaftueshme rreth viktimave dhe akuzave para se të niste gjykimi.
Sa i takon çështjes së dënimeve, Gjykata kujtoi se korniza ligjore e detyrueshme për Dhomat e Specializuara mbetet Ligji nr. 05/L-053. Sipas saj, panelet penale duhet t'i marrin parasysh ligjet e tjera të Kosovës, mirëpo nuk janë të detyruara t'i zbatojnë ato në mënyrë rigoroze.
Në fund, pretendimi se masa e dënimit ishte e tejskajshme dhe se cenonte parimin e barazisë para ligjit u shpall gjithashtu i papranueshëm, pasi nuk ishin shteruar paraprakisht mjetet e duhura juridike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: