Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Pakënaqësi në Infrakos: Punëtorët protestojnë për pagat dhe paralajmërojnë grevë të përgjithshme

Redaksia Lajmetereja • 26-10-2026 09:02
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Pakënaqësi në Infrakos: Punëtorët protestojnë për pagat dhe paralajmërojnë grevë të përgjithshme
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Infrakos” kanë zhvilluar një protestë këtë të hënë pranë Stacionit Hekurudhor në Fushë Kosovë, duke kërkuar indeksimin e pagave dhe duke ngritur alarmin për përshkallëzim të masave sindikale deri në grevë të përgjithshme, nëse drejtuesit dhe bordi nuk japin zgjidhje konkrete për kërkesat e tyre. Kryetari i Sindikatës së “Infrakos”-it, Hysen Nikqi, bëri të ditur se kjo revoltë vjen si pasojë e dështimit të dialogut me menaxhmentin dhe bordin e ndërmarrjes, që përfaqëson Qeverinë e Kosovës, pasi takimet e deritanishme kanë rezultuar pa asnjë sukses. Ai kujtoi se bisedimet e zhvilluara me kryeshefin më 4 korrik, si dhe ato me bordin, përfunduan pa ndonjë rezultat, me kërkesën e palës tjetër për të pritur pafundësisht, një gjë e tillë sipas tij e papranueshme. Nikqi: Kemi pas takim me kryeshefin e Infrakos e kemi pas një takim dhe ka rezultuar i pasuksesshëm "Sot punëtorët e ndërmarrjes publike Infrakos kemi organizuar një protestë në shenjë pakënaqësie për mos indeksimin e pagave të punëtorëve. Kërkesa kemi bërë të pareshtura, kurrë nuk jemi ndalë me kërkesa. Ndërsa takime me kryeshefin e Infrakos e kemi pas një takim me datën 4 korrik dhe ka rezultuar i pasuksesshëm. Pastaj kemi pas edhe një takim të vetëm me bordin që e përfaqëson Qeverinë e Kosovës dhe pas bisedimeve të shumta me tẻ nuk kemi pas asnjë rezultat konkret. Kërkesa e tyre ka qenë që me prit deri në pafundësi që është e pamundur me prit", ka thënë Nikqi. Sipas kreut të sindikatës, situata është tensionuar edhe më shumë pas vendimit ekzekutiv për rritjen e pagës minimale, pasi ky ndryshim nuk ka reflektuar realitetin e përgjegjësive dhe kualifikimeve të stafit. Nikqi: Vendimi i qeverisë për pagën minimale e ka shkaktuar këtë pakënaqësi "Kush e shkaktoi këtë pakënaqësi. Në momentin kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rritjen e pagës minimale, ka qenë shumë e mirëseardhur për një pjesë të madhe të punëtorëve te Infrakos. Për pjesën tjetër ka shkaktuar pakënaqësi. Sepse nuk barazohet paga e atëhershme ose ajo që është ekzistuese me përgjegjësitë e punëtorëve. Kështu ka qenë e domosdoshme një indeksim i pagave. Pastaj kur kjo të rregullohet vjen në shprehje kërkesa për rritjen e pagave, por deri më sot nuk kemi has në mirëkuptim me bordin", tha ai. Protesta e cila zgjati një orë u shoqërua edhe me ndërprerjen e përkohshme të qarkullimit të trenit në linjën Prishtinë-Pejë, ndërsa u theksua se nëse bordi nuk reflekton, do të ndërmerren hapa të tjerë ligjorë. Nikqi: Paga minimale i ka prekur rreth 147, pra i ka ngritur, ndërsa pjesa tjetër që janë rreth 50 punëtorë "Paga minimale i ka prekur rreth 147, pra i ka ngritur, ndërsa pjesa tjetër që janë rreth 50 punëtorë, janë të pakënaqur me pagën që e kanë dhe përgjegjësinë e punës. Me patjetër kërkohet një indeksim i pagave për pozitat e atyre që i kanë... Janë rreth 200 punëtorë që janë të Infrakos dhe që kanë dalë sot në mënyrë të qet me protestu për me paralajmëru bordin me marrë një vendim konkret...Ne sot protestojmë për një orë është e paralajmëruar dhe për këtë një orë do të ndalet edhe qarkullimi i trenit Prishtinë-Pejë dhe do të përfundojë protesta qetë. Pastaj do presim reflektimin e bordit, në qofte se nuk do ketë asgjë do të ndërmarrim veprime tjera sindikale të gjitha ato që na lejon ligji, deri të greva e përgjithshme në tërë territorin e Kosovës",tha ai. Në anën tjetër, punëtori i “Infrakos”-it, Halim Behrami, vuri në pah se përveç kompensimit financiar, shqetësim jetik për stafin mbetet edhe garantimi i sigurisë në vendin e punës, duke kritikuar mospërputhjen mes trajtimit financiar dhe detyrave të vështira që ata kryejnë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar