Aktuale
Mbi 1.400 gjoba në dhjetë ditët e para të “Qytetit të Sigurt” në jugperëndim, shpejtësia mbetet problemi kryesor
Reklamë e Sponsorizuar
Implementimi i projektit “Qyteti i Sigurt” në Ohër, Strugë, Dibër dhe Kërçovë, i cili ka nisur më 12 tetor, ka sjellë një numër të lartë sanksionesh që në ditët e para të zbatimit. Statistikat tregojnë se rreth 85 për qind e kundërvajtjeve të konstatuara lidhen direkt me mosrespektimin e shpejtësisë së lejuar në rrugë.
Stefan Dimovski, zëdhënës i SPB-Ohër, ka bërë të ditur se nga fillimi i funksionimit të sistemit deri më tani janë regjistruar gjithsej 1.415 shkelje në të gjithë zonën që mbulon ky sektor. Sipas tij, shkelja mbizotëruese mbetet tejkalimi i shpejtësisë, për të cilën janë shqiptuar 1.211 gjoba.
Në deklaratën e tij, Dimovski ka theksuar se qëllimi kryesor i këtij mekanizmi dixhital është rritja e sigurisë rrugore, parandalimi i tragjedive dhe minimizimi i aksidenteve që përfundojnë me fatalitet ose me lëndime të rënda trupore për qytetarët.
“Çdo mosrespektim i shpejtësisë do të thotë pikë e zezë dhe do të thotë mundësi për shkaktimin e një aksidenti, prandaj një nga prioritetet kryesore të Safe City është zvogëlimi i aksidenteve para së gjithash me pasoja vdekje dhe lëndime të rënda me një fjalë uljen e numrit të aksidenteve”, ka shtuar shtuar zëdhënësi Dimovski.
Ndërkohë, reagimet e banorëve dhe drejtuesve të automjeteve janë të ndryshme. Disa prej tyre vërejnë një kujdes të shtuar në trafik gjatë dhjetë ditëve të fundit, ndërsa të tjerë shprehen se efekti i plotë i kamerave ende nuk është reflektuar plotësisht, pasi shoferët janë ende në fazën e përshtatjes me këtë formë të re të monitorimit dhe ndëshkimit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: