Aktuale
Uli Hoeneß ashpër ndaj Liverpoolit: Po e shkatërroni talentin e Florian Wirtzit!
Reklamë e Sponsorizuar
Presidenti i nderit i Bayern Munichut, Uli Hoeneß, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj gjigantit anglez Liverpool, për shkak të mënyrës se afrimit dhe menaxhimit të mesfushorit Florian Wirtz në skuadër.
Gjatë një prononcimi për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”, 74-vjeçari u shpreh i bindur se ylli gjerman do të kishte shkëlqyer shumë më shumë nëse do të kishte pranuar ofertën e bavarezëve, duke vënë në dukje se sistemi aktual i anglezve nuk po e ndihmon atë.
“Florian do të luante shumë më mirë për ne sesa po luan te Liverpooli”, u shpreh hapur Hoeneß, i cili theksoi se i ndjek rregullisht ndeshjet e skuadrës nga Anfield dhe nuk është aspak i kënaqur me statusin e ri të lojtarit.
Duke analizuar situatën në fushë, ai shtoi: “Shikoj shumë nga ndeshjet e tyre. Nuk e kanë integruar aspak siç duhet. Te Leverkuseni, ai merrte çdo top, ndërsa te Liverpooli është vetëm njëri nga shumë lojtarët”.
Gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2025, Bayern Munichu ishte një nga pretendentët kryesorë për të siguruar shërbimet e Florian Wirtzit nga Bayer Leverkuseni. Vetë Uli Hoeneß kishte qenë i përfshirë direkt në bisedime për ta bindur lojtarin, duke shfrytëzuar edhe marrëdhënien e mirë që gëzon me babanë e tij, Hans Wirtz.
Megjithatë, pavarësisht optimizmit të atëhershëm se talenti mund të përfundonte në “Allianz Arena”, futbollisti zgjodhi sfidën e re në Premier League, pasi Liverpooli pagoi rreth 125 milionë euro për ta transferuar, duke realizuar një nga goditjet më të bujshme të atij merkatoje.
Ky kalim në Angli erdhi me pritshmëri tejet të larta, duke u bazuar te paraqitjet e jashtëzakonshme që Wirtz kishte bërë në Bundesligë. Te Bayer Leverkuseni, ai ishte boshti i lojës sulmuese dhe gëzonte liri të plotë krijuese në fushë.
Te Liverpooli, megjithatë, mesfushori ende nuk ka arritur të shfaqë të njëjtën vazhdimësi dhe dominim. Përshtatja me intensitetin e futbollit anglez ka qenë e vështirë, ndërsa mediat dhe analistët shpesh e kanë vënë në shënjestër për rendimentin e tij.
Pavarësisht kësaj, Hoeneß insiston se problemi nuk buron nga aftësitë e lojtarit, por nga mënyra se si trajtohet taktikisht, duke kërkuar një rol më qendror për të.
Pavarësisht problemeve të Wirtzit në Angli, të cilat kanë nxitur zëra për një largim të mundshëm, Uli Hoeneß ka përjashtuar kategorikisht çdo mundësi që Bayern Munichu të hyjë sërish në garë për të.
Sipas tij, klubi gjerman nuk ka ndërmend të bëjë ndonjë lëvizje të re për ta afruar mesfushorin, i cili mbetet i lidhur me “The Reds” përmes një kontrate afatgjate deri në vitin 2030.
“Ai ka një kontratë afatgjatë me Liverpoolin. Ata do të përpiqen ta integrojnë më mirë atje”, përfundoi presidenti i nderit i klubit bavarez, duke ia lënë përgjegjësinë plotësisht klubit anglez.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: