Politikë
Koha për mbylljen e kapitullit: Kosova kërkon largimin përfundimtar të UNMIK-ut pas dy dekadash
Reklamë e Sponsorizuar
Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), i vendosur menjëherë pas përfundimit të luftës për të asistuar në administrimin dhe ngritjen e strukturave shtetërore, po vlerësohet gjithnjë e më shumë si një mision që ka përmbushur qëllimin e tij historik dhe tashmë duhet të mbyllet.
Në kohën kur shteti i Kosovës ka konsoliduar institucionet e veta dhe synon shtrirjen e plotë të sovranitetit, kërkesa e shprehur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për tërheqjen e këtij misioni ka riaktualizuar debatin mbi relevancën dhe nevojën e pranisë së tij në terren.
Analistët politikë dhe njohësit e zhvillimeve shoqërore theksojnë se mandati i dikurshëm i UNMIK-ut i përket të kaluarës, ndërsa menaxhimi i përgjegjësive shtetërore i takon ekskluzivisht institucioneve vendase, pa cenuar aspak partneritetin strategjik me aleatët ndërkombëtarë.
Veprimtari Saim Tahiraj ka qenë ndër zërat e parë që ka kërkuar largimin e menjëhershëm të UNMIK-ut, duke argumentuar se vendi jo vetëm që ka ndërtuar institucione të qëndrueshme, por ka dëshmuar plotësisht aftësinë për të udhëhequr të ardhmen e tij.
Sipas tij, përparimi i dukshëm në rrafshin institucional, politik dhe shoqëror dëshmon se prania ndërkombëtare e këtij niveli nuk e arsyeton më ekzistencën e saj, sikurse ndodhte në periudhën e pasluftës.
"Jo vetëm që ka ardhur koha për largimin e UNMIK-ut nga Kosova, por ky mision e ka tejkaluar prej kohësh arsyen e ekzistencës së tij në vendin tonë", ka deklaruar Tahiraj, duke shtuar se një pjesë e qytetarëve ndihen të zhgënjyer nga mënyra se si ky mision i ka paraqitur proceset përmes raporteve zyrtare në OKB dhe instanca të tjera.
Ai vlerëson se raportimet e deritanishme kanë prodhuar mosbesim dhe se Kosova nuk mund të mbetet peng i një pranie të vjetruar ndërkombëtare, përderisa synon integrimin dhe konsolidimin e plotë të shtetësisë së saj.
Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të sinqertë me aleatët, Tahiraj sugjeron se sa më shpejt të mbyllet ky kapitull, aq më e dobishme do të jetë si për Kosovën, ashtu edhe për vetë misionin e OKB-së.
Prandaj, ai bën thirrje që shtetet anëtare të OKB-së ta trajtojnë me seriozitetin e duhur kërkesën amerikane, duke marrë për bazë realitetin e ri politik dhe funksional në vend.
Në fund, Tahiraj përsërit se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit të fortë me SHBA-së, Bashkimin Evropian dhe botën demokratike, por mbi baza të respektit të ndërsjellë dhe të ushtrimit të plotë të sovranitetit shtetëror.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: