Sport
Raporti i ZKA-së për Buxhetin 2025: Opinioni i kualifikuar dhe sfidat e evidentuara në financat publike
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ku në qendër të diskutimit kanë qenë gjetjet e Zyrës Kombëtare e Auditimit (ZKA) për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Kosovës për vitin 2025. Për të raportuar para deputetëve, të pranishëm kanë qenë ministri i Financave, Hekuran Murati, si dhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.
Gjatë fjalës së tij, ministri Hekuran Murati theksoi se pasqyrat vjetore financiare respektojnë plotësisht kornizën e rregullave fiskale, duke u mbështetur në legjislacionin në fuqi për menaxhimin e financave publike dhe duke kaluar procesin e verifikimit nga ZKA.
"Konstatojmë se pasqyrat vjetore financiare që po paraqesim para jush konfirmojnë zbatueshmërinë e rregullave fiskale në fuqi, në bazë të legjislacionit përkatës për financat publike, si dhe të njëjtat pasqyra, pra, janë të audituara edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit", u shpreh ai.
Nga ana e saj, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, gjatë prezantimit të raportit vuri ankesë mbi mungesën e funksionimit të Kuvendit dhe këtij komisioni për një periudhë të gjatë, duke e cilësuar këtë si një boshllëk serioz që ka lënë pa shqyrtuar rekomandimet dhe ka zbehur ndikimin e auditimit në administrimin e parasë publike.
"Në lidhje me auditimin e raportit të qeverisë për buxhetin e shtetit për vitin 2025, ZKA ka vlerësuar se cilësia e raportimit financiar ka shënuar rritje ndër vite dhe është në përputhje me standardet dhe kornizën ligjore për raportim. Në bazë të rezultateve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar që nënkupton se përveç ndikimit të çështjeve të evidentuara në bazën për opinionin e kualifikuar, raporti financiar paraqet një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale në përputhje me kornizën përkatëse të raportimit financiar. Përkundër se nga viti në vit vërehen përmirësime, rezultatet e auditimeve tregojnë se ende ekzistojnë mangësi qoftë në aspekte të pajtueshmërisë në kornizën ligjore, ashtu edhe në aspekte të tjera të përmbushjes së objektivave në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve", u shpreh Spanca gjatë takimit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: