Politikë
Roli kyç i pushtetit lokal në rrugën evropiane të Kosovës, mbahet takimi i katërt i Grupit Punues
Reklamë e Sponsorizuar
Në kuadër të Komitetit Evropian të Rajoneve, është zhvilluar takimi i katërt i Grupit Punues për Kosovën, ku në qendër të vëmendjes ka qenë pesha e komunave në procesin e integrimit evropian, rëndësia e administrimit vendor dhe koordinimi ndërinstitucional.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të qartë se përafrimi me Bashkimin Evropian nuk kufizohet vetëm tek instancat qendrore, por merr jetë në përditshmërinë e çdo komune përmes dhënies së shërbimeve dhe praktikimit të demokracisë.
“Integrimi evropian nuk ndodhet në Bruksel apo në institucionet qendrore, ai ndodh më së shumti në secilën komunë, aty ku qytetari i merr shërbimet publike, administrohen shërbimet dhe ku demokracia ushtrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kosova ka 38 komuna me potencial, nevoja dhe kapacitete të ndryshme”, u shpreh ai.
Ndërkohë, shefja e sektorit politik të Bashkimit Evropian në Kosovë, Bouglaw Gertruda, ka vlerësuar se e ardhmja e këtij procesi varet ndjeshëm nga angazhimi i pushtetit vendor. Ajo vuri theksin te qeverisja e ndershme, transparenca, llogaridhënia, menaxhimi i qëndrueshëm i financave dhe prokurimi efikas si shtylla për fitimin e besimit qytetar.
Gertruda po ashtu kërkoi partneritet më të ngushtë ndërmjet qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, zbatim të përpiktë të ligjeve dhe përfshirje të autoriteteve komunale në marrjen e vendimeve që i prekin ato.
“Integrimi evropian është një investim strategjik, ndërsa përmbushja e këtij synimi varet në masë të madhe nga komunat. Shëndeti publik, shërbimet dhe bizneset lokale janë ndër fushat që ndikohen drejtpërdrejt nga puna e tyre. Por, çfarë nënkupton konkretisht integrimi evropian për komunat? Qeverisje të mirë dhe llogaridhënie, që nënkuptojnë vendimmarrje transparente, menaxhim të qëndrueshëm financiar dhe prokurim publik efektiv. Të gjithë këta elementë janë thelbësorë për ndërtimin e besimit të qytetarëve. Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon gjithashtu bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe komunave, respektimin e kornizës ligjore dhe sigurimin që vendimet që ndikojnë te komunat të merren në konsultim me to”, deklaroi ajo.
Në anën tjetër, anëtarja e Komitetit Evropian të Rajoneve, Gillian Coughlan, ka ngritur shqetësimin rreth pavarësisë së autoriteteve lokale, duke kërkuar që komunat të kenë lirinë e plotë për të aplikuar vetë për fondet evropiane, pasi njohja e terrenit nga ana e zyrtarëve lokalë garanton sukses në zbatimin e projekteve.
“I mirëpres kontributet dhe përkushtimin tuaj për forcimin e qeverisjes lokale, pasi po shohim në të gjithë Evropën një prirje për përqendrimin e kompetencave në nivelin qendror, ku qeveritë qendrore po fillojnë të marrin sërish kontrollin, ndoshta edhe mbi fondet evropiane. Si përfaqësues të nivelit lokal dhe rajonal, ne duam të theksojmë rëndësinë e pavarësisë së autoriteteve lokale dhe komunale, si dhe të zyrtarëve lokalë dhe komunalë që merren me çështjet evropiane. Atyre duhet t’u jepet hapësira dhe autonomia për të aplikuar vetë për këto lloj fondesh. Mendoj se rezultatet janë më të mira kur zyrtari lokal e njeh konkretisht projektin që duhet të realizohet, natyrisht, në bashkëpunim me udhëheqësit politikë”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: