Politikë
Brukseli njihet me potencialin e Kosovës: Kusari-Lila shpalos projektet për inovacionin dhe bizneset
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në Takimin Ministror të Platformës Drejtuese të Ballkanit Perëndimor për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, i cili është organizuar në Bruksel nga komisionerja evropiane për Start-up-et, Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin, Ekaterina Zaharieva. Gjatë këtij evenimenti, ajo ka bërë të aformume investimet e shtetit kosovar në infrastrukturën industriale dhe teknologjike, si dhe ka prezantuar paketat e ndihmës financiare për ndërmarrjet, start-up-et dhe gratë në biznes.
Delegacioni i Kosovës në këtë takim është përbërë gjithashtu nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, si dhe ambasadori i vendit në Bruksel, Agron Bajrami. Pjesëmarrësit nga e gjithë rajoni dhe partnerët evropianë kanë diskutuar mbi ndikimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor.
Si një nga arritjet kryesore të këtij takimi është cilësuar miratimi i deklaratës së përbashkët ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit, e cila ka për qëllim intensifikimin e bashkimit të forcave në fushën e inovacionit dhe shkencës, si dhe krijimin e një Plani të Përbashkët Veprimi. Komisionerja Ekaterina Zaharieva e ka cilësuar këtë dokument si një moment kthesë për bashkëpunimin ndërmjet bllokut evropian dhe rajonit, duke vënë theksin te rëndësia e integrimit dhe zhvillimit shkencor.
Në fjalën e saj, ministrja Kusari-Lila ka evidentuar mundësitë e mëdha që ofron Kosova në fushën e inovacionit, duke vënë në dukje bilancin tregtar pozitiv të sektorit të shërbimeve dhe hapësirat për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik. Si dëshmi konkrete të këtyre investimeve, ajo ka përmendur ndarjen e 8 milionë eurove nga buxheti shtetëror për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP), krahas skemave mbështetëse që ministria e saj ofron për fuqizimin e sektorëve me perspektivë të lartë rritjeje.
Sipas planifikimeve financiare për vitin 2026, mbështetja shtetërore do të përfshijë 1.9 milionë euro për 34 ndërmarrje dhe 15 start-up-e, 1 milion euro dedikuar për 42 përfitues në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), 1.16 milionë euro për inovacionin po në këtë sektor, si dhe 1 milion euro të rezervuara posaçërisht për gratë ndërmarrëse.
Këto fonde synojnë të lehtësojnë ambientin e të bërit biznes, duke u dhënë mundësi sipërmarrësve t'i shndërrojnë idetë kreative në shërbime dhe produkte konkurruese në treg. Njëkohësisht, këto nisma ndihmojnë në hapjen e vendeve të reja të punës, tërheqjen e investimeve dhe zgjerimin e kapaciteteve eksportuese të ekonomisë kosovare.
Në kuadër të këtij organizimi janë ndarë edhe çmime për inovacion, ku janë shpërblyer talentë të rinj nga rajoni. Kosova është përfaqësuar nga Arbnora Kllokoqi, e cila ka themeluar platformën “Mendje”. Ky aplikacion shfrytëzon teknologjinë për ta bërë më të lehtë qasjen te shërbimet e shëndetit mendor, duke lidhur personat shqipfolës me psikologë të licencuar që kuptojnë gjuhën dhe kontekstin e tyre kulturor.
Takimi në kryeqytetin evropian është mbyllur me pajtimin e të gjithë akterëve për të çuar përpara objektivat e përbashkëta dhe për të fuqizuar bashkëpunimin rajonal e evropian në fushën e shkencës dhe inovacionit. Këto investime dhe politika mbështetëse dëshmojnë angazhimin e Kosovës për ndërtimin e një ekonomie të bazuar te dija dhe konkurrueshmëria.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: