Politikë
Kërkesë e prerë nga OKB: Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet dhe terrorizmin
Reklamë e Sponsorizuar
Gjatë seancës së fundit të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), mbajtur të martën, Kosova u përfaqësua nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Ai trajtoi sfidat e sigurisë, zhvillimet politike, krimet e luftës dhe qëndrimin e vendit ndaj raportit të UNMIK-ut.
Analisti Gani Qarri ka vlerësuar lart këtë paraqitje, duke theksuar se shefi i diplomacisë kosovare mbrojti me sukses interesat shtetërore, duke ngritur zërin për llogaridhënien e Serbisë, të drejtat e viktimave dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në OKB.
Sipas tij, Konjufca i kujtoi fuqishëm skenës ndërkombëtare realitetin e gjenocidit dhe masakrave të kryera nga shteti serb gjatë luftës, duke përdorur shifra konkrete për mbi 12 mijë civilë të vrarë, si dhe 1577 të zhdukur, mes të cilëve 109 fëmijë, fati i të cilëve mbetet ende i panjohur.
Analisti po ashtu veçoi kërkesën e bërë në OKB për ndëshkimin e autorëve të sulmit terrorist në Banjskë, duke vënë në shënjestër kryeterroristin Millan Radoiçiq, i cili vazhdon të strehohet në Serbi, si dhe përgjegjësinë e vetë shtetit serb për këtë agresion ku u vra heroi Afrim Bunjaku.
Në fjalën e tij, Konjufca gjithashtu hodhi poshtë raportin e UNMIK-ut, duke e cilësuar si të deformuar nga narrativa serbe, dhe rikonfirmoi synimin legjitim të Kosovës për t'u bërë anëtare me të drejta të plota e OKB-së.
Në fund, Qarri bëri thirrje që mesazhet e fuqisë së argumentit të përcjella nga Kosova të shërbejnë si kambanë alarmi për bashkësinë ndërkombëtare, e cila duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të detyruar Beogradin që të zbardhë fatin e të zhdukurve dhe të pranojë realitetin e shtetësisë së Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: