Sport
Talenti me rrënjë shqiptare magjeps CNN-in: Adri Mehmeti shihet si e ardhmja e futbollit amerikan
Reklamë e Sponsorizuar
Gjiganti mediatik amerikan CNN i ka kushtuar një artikull të posaçëm Adri Mehmetit, një prej talenteve më të spikatura në futbollin amerikan, i cili premton shumë për të ardhmen.
Në moshën vetëm 17-vjeçare, ai ka siguruar vendin e titullarit te skuadra e New York Red Bulls, ndërsa së fundmi ka regjistruar edhe paraqitjen e tij të parë me fanellën e kombëtares A të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
"Prindërit e tij vijnë nga Shqipëria, një vend ku futbolli përjetohet si një fe e dytë. Edhe i ati i tij ka qenë futbollist në rini, duke mbrojtur ngjyrat e vendit në grupmoshat e reja", shkruan CNN në shkrimin e tij.
Duke evokuar fillimet e karrierës, vetë lojtari ka treguar: "Kam nisur të luaj me topin bashkë me babanë tim që kur isha dy vjeç. Falë ndeshjeve të përditshme në oborr, u dashurova përfundimisht me këtë sport".
Mehmeti u bashkua me akademinë e New York Red Bulls në vitin 2019. Më pas, në shkurt ai debutoi me ekipin e parë, kurse në muajin prill realizoi golin e tij të parë në MLS.
"Forma e tij e shkëlqyer bëri që selektori Mauricio Pochettino ta ftojë në radhët e kombëtare amerikane. Mehmeti bëri debutimin e tij në shtator, në triumfin 4-1 kundër Perusë, duke u aktivizuar në minutën e 88-të", vijon artikulli.
Më herët, 17-vjeçari ka qenë pjesë e moshave të reja të kombëtares shqiptare, për t'u transferuar më pas te kombëtarja e parë e ShBA-së.
Sa i përket modeleve të tij në fushë, Mehmeti ka pranuar se admiron futbollistë si Rodri dhe Pedri, kurse kohët e fundit edhe Elliot Anderson.
Sipas CNN, djaloshi me origjinë shqiptare bën pjesë në një valë të re sportistësh që pritet të kenë një ndikim kyç në vitet e ardhshme të përfaqësueses amerikane.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: