Politikë
Kërkesë për transparencë: Hajdar Beqa i kërkon llogari PDK-së për nismën e kthimit të Ligjit për Gjykatën Speciale
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti dhe anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka kërkuar nga subjekti i tij politik që të ofrojë sqarime urgjente lidhur me iniciativën për rikthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend.
Beqa ka theksuar se PDK-ja ka detyrim moral ndaj qytetarëve dhe opinionit publik që të japë një arsyetim transparent dhe të qartë për këtë zhvillim.
Sipas tij, partia duhet të sqarojë arsyet pse po kërkohet kthimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, dhe kjo para se ai të dekretohet zyrtarisht.
“A kanë qenë të njohura para dy javësh kur u votua ligji arsyet që sot po përdoren për kthimin e tij? Nëse po, pse atëherë u votua? Nëse jo, opinioni duhet ta dijë se çfarë ka ndryshuar ndërkohë? Për këtë situatë të krijuar, PDK duhet të dalë publikisht dhe të japë përgjigje të drejtpërdrejta, sepse vendimet e kësaj peshe nuk mund të merren sot e të zhbëhen nesër, pa një arsyetim serioz”, ka deklaruar Beqa.
Në përmbyllje, ai ka vlerësuar se besueshmëria në politikë fitohet përmes konsistencës dhe përgjegjësisë institucionale, e jo përmes vendimeve që prodhojnë më shumë dilema sesa zgjidhje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: