Politikë
Valë shkarkimesh në administratë? Rama u kërkon ministrave dorëheqjen e drejtorëve
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mësohet se ka ndërmarrë një hap të bujshëm duke u kërkuar anëtarëve të kabinetit qeveritar nisjen e një procesi për largimin e të gjithë drejtuesve të institucioneve që varen nga ministritë e tyre. Ky zhvillim vjen në një periudhë kur ekzekutivi po përballet me valën e protestave qytetare në kryeqytet.
Sipas informacioneve të siguruara, kreu i qeverisë i ka drejtuar porositë ministrave nga Budva e Malit të Zi. Ai u ka kërkuar atyre që të thërrasin në mbledhje urgjente drejtorët e varësisë dhe t'u kërkojnë dorëheqjet e tyre të parevokueshme.
Vendimi pritet të bëhet zyrtar dhe publik nga vetë kryeministri Rama gjatë ditëve në vijim. Ndërkohë, analistët mbeten të ndarë nëse kjo lëvizje synon të ulë tensionin e protestuesve apo paralajmëron ndryshime të thella politike dhe zgjedhje të parakohshme.
Kjo nismë pason paralajmërimin që kryeministri bëri vetëm një javë më parë, ku u tregua i prerë ndaj zyrtarëve të administratës publike që tregojnë papërgjegjshmëri duke mos respektuar afatet ligjore për shërbimet ndaj qytetarëve.
“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin ne do të përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, deklaroi ndër të tjera kreu i qeverisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: