Politikë
PDK i drejtohet Presidentes: Ktheni në Kuvend ligjin për Dhomat e Specializuara për përmirësim shtesë
Reklamë e Sponsorizuar
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka drejtuar sot një shkresë zyrtare Presidentes së vendit, znj. Justina Shiroka-Pula, përmes së cilës kërkohet që Ligji Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të kthehet në Kuvend për rishqyrtim.
Pas një sërë diskutimesh të thelluara, nga radhët e PDK-së theksohet se ky rikthim do të krijonte hapësirë për përmirësimin e neneve të caktuara, me qëllim të ngritjes së sigurisë juridike të aktit ligjor. Kjo hapësirë vlerësohet e domosdoshme për mbrojtjen e interesit shtetëror dhe sigurimin e respektimit të plotë të të drejtave kushtetuese të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po ballafaqohen me drejtësinë në Hagë.
Partia Demokratike e Kosovës shpreh krenari për këtë hap legjislativ dhe për mbështetjen e gjerë që ka pranuar. Mbrojtja e trashëgimisë së UÇK-së dhe mbështetja e pakushtëzuar ndaj çlirimtarëve mbeten detyrime parësore dhe të panegociueshme.
Sipas kësaj force politike, teksti ligjor është kryesisht i përfunduar, ndërsa faza e rishqyrtimit synon një kontroll përfundimtar profesional dhe tejkalimin e pengesave të mundshme në zbatim. Kërkesa fokusohet te rikthimi në Kuvend dhe jo te kthimi në Qeveri apo rifillimi i procedurave nga e para, me synim që ligji të finalizohet dhe të hyjë në fuqi sa më parë.
Në këtë linjë, ftohen të gjithë ekspertët e fushës që kanë shprehur gatishmëri, përfshirë edhe Avokatin e Popullit, që të dorëzojnë idetë dhe propozimet e tyre konkrete.
Nga PDK-ja shprehet besimi se ky ligj, pas miratimit fillestar të datës 6 tetor 2026, do të kalojë sërish me sukses brenda pak javësh, duke falënderuar të gjithë mbështetësit dhe kontribuuesit e këtij procesi.
Krahas kësaj, PDK-ja bën të aformë se po vijon punën për ndërtimin e një strategjie të përbashkët shtetërore për fazën e apelimit, e cila përfshin ndarjen e mjeteve financiare dhe ndihmën profesionale për mbrojtjen juridike. Këto dy procese, finalizimi i ligjit dhe mbështetja për apel, duhet të ecin paralelisht.
Gatishmëria për ta përsosur tekstin ligjor nuk nënkupton në asnjë mënyrë tërheqje nga nisma. PDK-ja nuk do të ndalet derisa ky ligj të hyjë fuqishëm në fuqi, duke mbetur plotësisht besnike ndaj zotimit qytetar dhe institucional për të mos i lënë kurrë vetëm luftëtarët e lirisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: