Politikë
Abdixhiku pas kërkesës së PDK-së për Specialen: Po baltën që hodhët mbi LDK-në ku do ta fshihni?
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër pas nismës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) drejtuar presidentes Justina Shiroka-Pula, përmes së cilës kërkohet rikthimi në Kuvend për rishqyrtim i Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu i LDK-së ka vënë në pah qëndrimin e mëparshëm të partisë së tij dhe akuzat që i ishin drejtuar asaj kohë më parë. "Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini? Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!", ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se subjekti që ai drejton ka ruajtur qëndrimin e vet pavarësisht kostos së sulmeve që pasuan, duke shtuar se ndërgjegjja shtetërore kërkon mbrojtjen e të vërtetës edhe kur kjo shkon kundër rrymës. "LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës", u shpreh ai.
Duke iu drejtuar anëtarësisë dhe simpatizantëve, Abdixhiku ka kërkuar prej tyre që të ndihen krenarë për qëndrimet e mbajtura. "Mbështetësve tanë u themi qëndroni gjithmonë krenarë! Mund të na sulmojnë nga të gjitha anët, por qëndrimet e LDK-së i kanë qëndruar provës së historisë. Do t’i qëndrojnë sërish! Sepse ato nuk përcaktohen nga vërshimet e momentit, por nga bindjet mbi Republikën. Veç duhet kohë", ka theksuar ai.
Në fund të reagimit të tij, kreu i LDK-së ka përsëritur edhe një herë qëndrimin rreth vlerave të luftës çlirimtare. "Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu!", përfundon shkrimi i tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: