Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Ligji për Specialen, Cakolli: Presidentja Shiroka-Pula ka afat deri të premten për ta kthyer në Kuvend

Redaksia Lajmetereja • 21-10-2026 20:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Ligji për Specialen, Cakolli: Presidentja Shiroka-Pula ka afat deri të premten për ta kthyer në Kuvend
Afati për dekretimin ose kthimin e ligjit përfundon më 23 tetor – në rast të kthimit, Kuvendi mund ta miratojë sërish me së paku 61 vota, ndërsa procedura për ndryshimin e dispozitave mbetet e paqartë Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka sqaruar procedurat kushtetuese dhe parlamentare lidhur me mundësinë që presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ta kthejë për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se afati për vendimmarrje përfundon të premten, më 23 tetor. Sipas Cakollit, presidentja ka të drejtë ta kthejë një ligj në Kuvend për rishqyrtim përmes mekanizmit të njohur si “veto pezulluese”, por kjo kompetencë duhet të mbështetet në kundërshtime konkrete që lidhen me cenimin e mundshëm të interesave legjitime të Kosovës ose të komuniteteve. “Presidentja mund ta kthejë një ligj në Kuvend për rishqyrtim, përmes asaj që njihet si veto pezulluese, duke e ndalur përkohësisht shpalljen e tij”,ka shpjeguar Cakolli. Ai ka theksuar se kjo e drejtë duhet të ushtrohet brenda tetë ditëve nga pranimi i ligjit. Nëse presidentja nuk merr vendim brenda këtij afati, ligji konsiderohet i shpallur edhe pa dekret presidencial dhe hyn në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Në rast se presidentja Shiroka-Pula vendos ta kthejë Ligjin për Specialen, Kuvendi mund ta miratojë sërish me shumicën e të gjithë deputetëve, përkatësisht me të paktën 61 vota. “Në rast kthimi, Kuvendi mund ta miratojë sërish ligjin, këtë herë me shumicën e të gjithë deputetëve, pra së paku 61 vota për, duke e përmbysur veton”,ka deklaruar ai. Sipas Cakollit, pas një votimi të tillë, ligji konsiderohet i shpallur dhe presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj. Megjithatë, hulumtuesi i KDI-së ka ngritur edhe çështjen e paqartësive procedurale në rast se Kuvendi synon t'i ndryshojë dispozitat që kundërshtohen nga presidentja. Ai ka shpjeguar se Rregullorja e mëparshme e Kuvendit e parashihte shprehimisht mundësinë e korrigjimit të çështjeve të ngritura nga presidenti, ndërsa Rregullorja aktuale përshkruan procedurën e përmbysjes së vetos, pa e sqaruar në mënyrë të hollësishme mënyrën e ndryshimit të dispozitave. Sipas vlerësimit të tij, Kuvendi duhet ta ketë mundësinë për t'i korrigjuar nenet e kundërshtuara, pasi qëllimi i kthimit të ligjit është rishqyrtimi dhe adresimi i vërejtjeve të presidentes. “Nëse Ligji për Specialen do të kthehet, Komisioni për Legjislacion ka katër javë nga pranimi për ta përgatitur raportin për seancë, me mundësi që shqyrtimin ta përfundojë edhe më herët”,ka theksuar Cakolli. Ai ka shtuar se interpretimi i Rregullores nga Komisioni për Legjislacion mund të ndihmojë në sqarimin e procedurës për propozimin dhe votimin e ndryshimeve eventuale, përpara se ligji të shqyrtohet sërish në seancë plenare. Duke iu referuar praktikave të mëparshme institucionale, Cakolli ka kujtuar se presidentët e Kosovës kanë kthyer të paktën tetë ligje për rishqyrtim në Kuvend. Katër prej këtyre rasteve i përkasin mandatit të ish-presidentes Atifete Jahjaga, dy mandatit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe dy mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani. Njëri nga rastet gjatë mandatit të Jahjagës, që lidhej me pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kishte përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit kishte sqaruar kufijtë e kompetencës presidenciale për kthimin e ligjeve. Kështu, deri të premten, më 23 tetor, mbetet të shihet nëse presidentja Justina Shiroka-Pula do ta shpallë Ligjin për Dhomat e Specializuara apo do ta shfrytëzojë të drejtën për ta kthyer atë në Kuvend për rishqyrtim.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Hapësirë Reklamuese
Më Shumë Lajme në Telegram

Ndiqni kanalin tonë për njoftime të shpejta të lajmeve më të rëndësishme në kohë reale.

Bashkohu Tani
Reklamë
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar