Sport
E ardhmja është kuqezi: Shkëndija blindon dy nga talentet e Akademisë
Reklamë e Sponsorizuar
KF Shkëndija nga Tetova ka konfirmuar edhe një herë përkushtimin e saj ndaj akademisë së futbollit, duke firmosur kontrata profesionale me dy prej talenteve më premtues të shkollës së klubit, mesfushorin Lirian Xheladini dhe mbrojtësin e majtë Anes Abdurahmani.
Kryesia dhe departamenti sportiv i klubit kanë marrë këtë vendim pas vlerësimit pozitiv të zhvillimit dhe potencialit të lartë që kanë shfaqur dy lojtarët e rinj, të cilët tashmë hedhin një hap të rëndësishëm në karrierën e tyre duke u bërë pjesë e rëndësishme e ekipi të parë.
Lirian Xheladini, i cili pasnesër mbush 19 vjeç, ka lidhur një marrëveshje dyvjeçare me skuadrën tetovare. Ai ka regjistruar tashmë minutat e tij të para me fanellën e parë që nga sezoni i kaluar, ndërsa është aktivizuar rregullisht edhe në fushatën aktuale.
“Jam shumë i lumtur për këtë hap dhe mirënjohës për besimin e klubit. Kontrata është motiv shtesë për të vazhduar punën me përkushtim, për t’u përmirësuar çdo ditë dhe për të dhënë maksimumin për fanellën kuqezi”, ka deklaruar Xheladini.
Nga ana tjetër, mbrojtësi i majtë Anes Abdurahmani, vetëm 18 vjeç, është shquar si një nga zbulimet e këtij edicioni. Pasi bëri debutimin e tij në triumfin 4:1 kundër Bregallnicës, ai ka numëruar deri më tani pesë paraqitje zyrtare, duke firmosur një kontratë 3,5-vjeçare që e lidh gjatë me klubin.
“Këto kontrata janë motiv shtesë për ne që jemi rritur në shkollën e Shkëndijës. Do të vazhdojmë të punojmë fort, të përparojmë si futbollistë dhe ta shpërblejmë besimin e klubit me paraqitje sa më të mira”, u shpreh Abdurahmani.
Ky zhvillim është komentuar edhe nga drejtori sportiv i Shkëndijës, Erhan Selimi, i cili e ka cilësuar këtë ngjarje si dëshmi të qartë të politikës së klubit për t'i dhënë hapësirë elementit vendor dhe prodhimeve të akademisë.
“Jemi të lumtur që formalizojmë kontratat profesionale me dy futbollistë të rinj, të cilët e kanë dëshmuar potencialin e tyre. Shpresojmë që ky hap të jetë motiv shtesë për të vazhduar punën me përkushtim dhe për të avancuar drejt ekipit të parë edhe më shumë talente nga shkolla jonë e futbollit”, përfundoi Selimi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: