Kronikë
Krizë në kampin parisien: Kvaratskhelia mbyll sezonin para kohe, dëmtohen rëndë edhe Dembele e Marquinhos
Reklamë e Sponsorizuar
Paris Saint-Germaini ka marrë një goditje tejet të rëndë pas triumfit ndaj Barcelonës, pasi klubi ka konfirmuar se sulmuesi Khvicha Kvaratskhelia ka këputur ligamentin e kryqëzuar të përparmë të gjurit të djathtë dhe do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
“Pas këputjes së ligamentit të kryqëzuar të përparmë të gjurit të djathtë gjatë ndeshjes së djeshme kundër FC Barcelonës, Khvicha Kvaratskhelia do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në ditët në vijim”, bëhet e ditur në komunikatën zyrtare mjekësore të PSG-së.
Sulmuesi u dëmtua pas një dyluftimi me mbrojtësin e krahut të djathtë të katalunasve, Xavi Espart. Ai u rrëzua në tokë dhe u detyrua të linte fushën i dëmtuar rëndë, pa mundur të mbështeste këmbën e djathtë dhe duke shfaqur shenja të qarta dhimbjeje.
Ekzaminimet e para mjekësore të zhvilluara të martën në mbrëmje ngritën alarmin për një dëmtim serioz, i cili u vërtetua përfundimisht të mërkurën pas rezonancës magnetike.
Edhe pse drejtuesit parisienë nuk kanë specifikuar një kohëzgjatje të saktë të fazës së rikuperimit, lojtari nuk pritet të zbritet më në fushë deri në përfundim të këtij viti, ndërsa rikthimi i tij në fushat e gjelbra parashikohet me shumë mundësi për sezonin e ardhshëm.
Ylli gjeorgjian, i cili ishte shpallur lojtari më i mirë i finales së fundit të Ligës së Kampionëve, paraqet një mungesë të pazëvendësueshme për skemat taktike të trajnerit Luis Enrique.
Pas fitores me rezultatin 4-2 ndaj Barcelonës, strategu spanjoll pranoi hapur se dëmtimi i Kvaratskhelias përbënte lajmin më tragjik të mbrëmjes për skuadrën e tij, pavarësisht suksesit të arritur ndaj kundërshtarit.
Tashmë, shtabi drejtues i kampionëve të Francës ndodhet para një dileme të madhe: të ndërhyjë në tregun e transferimeve për të afruar një zëvendësues apo t'i besojë grupit aktual. Emra si Ferran Torres, Mayulu, Akliouche dhe Doué pritet të marrin mbi supe një përgjegjësi më të madhe për të mbuluar boshllëkun e lënë nga një prej futbollistëve më deçizivë në futbollin evropian përgjatë vitit 2026.
Por lëndimi i Kvaratskhelias nuk ishte e vetmja goditje për kryeqytetasit francezë në këtë duel evropian.
Ousmane Dembélé kërkoi zëvendësimin që në minutën e 20-të të takimit, ndërsa klubi konfirmoi më vonë se fituesi i Topit të Artë ka pësuar një lëndim në kofshën e majtë, që do ta lërë jashtë fushave për disa javë.
“Pas një dëmtimi në kofshën e majtë, Ousmane Dembélé do të vazhdojë trajtimin gjatë javëve në vijim”, thuhet në njoftimin e klubit.
Situata është përkeqësuar edhe nga dëmtimi i mbrojtësit Marquinhos, i cili ka pësuar një lëndim në kofshën e djathtë dhe gjithashtu do të mungojë për disa javë.
“Pas një dëmtimi në kofshën e djathtë, Marquinhos do të vazhdojë trajtimin gjatë javëve në vijim”, ka njoftuar PSG-ja përmes komunikatës mjekësore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: