Politikë
Kryeministri Rama mbledh drejtuesit e bankave: Sulmet ndaj institucioneve financiare janë dhunë e orkestruar
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim urgjent me drejtuesit e bankave në mjediset e Bankës së Shqipërisë, në një periudhë kur disa filiale bankare në kryeqytet janë bërë shënjestër e akteve vandale gjatë protestave të fundit, duke rrezikuar mbarëvajtjen e shërbimeve për qytetarët.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë e cilësoi situatën si një valë të paprecedentë të paligjshmërisë. “Ishte e rëndësishme ta bënim këtë takim edhe me ju pas një histerie dhune që krijoi trysni të madhe mbi njerëzit e mbi të gjitha që mori peng Tiranën duke krijuar edhe idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte përpara me flakë e gurë gjithë Shqipërinë. Natyrisht që për ne nuk ka asnjë dyshim. Është dhunë orkestruar e lidhur me elemente të brendshëm dhe të jashtëm, e lidhur edhe me çka ndodhur nëpër qytete të tjera europiane, përmes një organizate neokomuniste që quhet ANTIFA, por ky është vetëm njëri nga komponentët e dhunës”, u shpreh Rama.
Më tej, ai detajoi strukturën e këtij organizimi, duke përmendur përfshirjen e të rinjve të ekstremizuar, grupeve të vogla kriminale të lagjeve të mbështetura nga krimi i organizuar dhe subjekte të ndryshme politike, si dhe aktorë të huaj që synojnë destabilizimin. Ai theksoi se këto grupe nuk përfaqësojnë në asnjë mënyrë zërin e studentëve apo qytetarëve që protestojnë në mënyrë legjitime.
Kryeministri kritikoi gjithashtu një pjesë të pedagogëve dhe mediave për mungesë distancimi nga aktet e dhunshme. Ai siguroi se vendi nuk po kalon përmes krizave të së kaluarës apo skenave të vitit 1997, ndërsa vlerësoi rolin e institucioneve financiare si gardiane të kursimeve të qytetarëve shqiptarë.
Duke shprehur solidaritetin e plotë qeveritar, Rama bëri të a ditur se shteti do t'i adresojë kërkesat e studentëve përmes hapave konkretë. Ai njoftoi se qeveria ka miratuar projektligjin për strehimin social të përballueshëm, i cili parashikon edhe mbulimin e gjysmës së vlerës së qirasë për studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara, duke mbyllur kështu një nga pikat kyçe të diskutimit të ditëve të fundit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: