Kronikë
Breshëria e plumbave në Athinë: Shqiptari zgjedh heshtjen, por pistat e hetimit zbulojnë botën e errët të krimeve
Reklamë e Sponsorizuar
Policia greke dyshon se plagosja e një fëmije gjatë një sulmi me armë zjarri në një kafene në zonën e Agios Panteleimona është pasojë e një larjeje hesapesh mes bandave kriminale.
Të dhënat e reja të zbardhura nga hetimet hedhin dritë mbi modalitetin e operimit të katër autorëve të dyshuar. Katër personat e armatosur lëviznin me një mjet të grabitur gjatë ditës së enjte të javës së kaluar në zonën e Vrilissias.
Sapo mbërritën pranë lokalit, ata lëshuan një breshëri prej 25 plumbash kallashnikovi drejt ambientit. Menjëherë pas ngjarjes, makina e përdorur për arratisje u zbulua e shkrumbuar në Aspropyrgos, ndërsa brenda saj u gjet edhe arma e sulmit. Si pasojë e të shtënave, një vajzë 10-vjeçare, e cila është vajza e partneres së pronarit të biznesit, shtetasit shqiptar 30-vjeçar Denis Luli, mbeti e plagosur në gjymtyrë. Ishte vetë nëna ajo e cila e transportoi me urgjencë të miturën në spital.
Agjentët e Drejtorisë për Luftën Kundër Krimit të Organizuar (DAOE) po e trajtojnë ngjarjen në kuadër të përplasjeve mes fraksioneve rivale, me fokus të veçantë te trafiku i narkotikëve, ndërkohë që po verifikojnë edhe një lidhje të mundshme të të burgosurit shqiptar Klodian Lekocaj me këtë ngjarje.
Vetë pronari i lokalit është një emër i njohur për organet e rendit, duke pasur një të shkuar të ngarkuar me precedentë të rëndë penalë. Në vitin 2016, ai u implikua në zbulimin e një parcele të madhe me kanabis në Arta, ku gjatë operacionit pati shkëmbim zjarri me forcat e policisë dhe mundi të largohej, për t'u vënë në pranga vetëm pas dy vitesh kërkimesh.
Më pas, në vitin 2021, ai fitoi lirinë nga qelia e burgut të Malandrinonit përmes masave alternative të sigurisë, të cilat përfshinin ndalimin e largimit nga shteti dhe detyrimin për t'u paraqitur rregullisht në Komisariatin e Kypselit. Ndërkohë, gjatë muajve të parë të këtij viti (2025), ai ishte rikthyer në vëmendjen e autoriteteve pas një incidenti që lidhej me posedimin e një sasie të vogël lënde narkotike.
Pavarësisht zhvillimeve, deri në këto momente 30-vjeçari ka refuzuar të bashkëpunojë me autoritetet, duke mos dhënë asnjë detaj të vetëm. Megjithatë, burime pranë hetimit sugjerojnë se ai ishte i ndërgjegjshëm për rrezikun dhe se mund të ketë qenë vetë ai shënjestra, pasi dyshohet se i kishte lënë porosi të prerë njërit prej punonjësve të tij që, nëse dikush do ta pyeste për të, të thoshte se nuk e kishte parë kurrë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: